Këto janë pamjet e superstradës Korçë-Qafë Plloçë të filmuara gjatë punimeve për rindërtimin e saj në muajin Gusht të këtij viti.
Pluhuri i dendur i muajve të verës tani është zëvendësuar nga balta dhe pellgjet me ujë që shtrihen në një pjesë të mirë të gjatësisë së rrugës.
Reshjet e rëna ditët e fundit kanë krijuar probleme në qarkullimin e mjeteve në lotin e dytë, të tretë dhe të katërt ku punimet për ndërtimin e superstradës kanë ecur me ritme të ulëta.
“Më mirë mos të vish fare. Është mizerje fare. Natën nuk bëhet fjalë me një fjalë. Edhe ditën mezi ecim, jo natën”.
“Po kjo gati një vit që ka nisur, por me vonesë të mëdhaja. Ka shumë të këqija. Pothuajse kemi tre-katër muaj që punojmë dhe vuajmë shumë”.
“Ku ka sinjalistika, asgjëkundi. Më keq se kaq s’ka ku të veje. U sfilitëm me makina, me veten, me të gjithë”.
Mungesa e sinjalistikës dhe shiritave orientuese në anët e rrugës është bërë shpesh burim aksidentesh.
Më të rrezikuar mbeten ata drejtues mjetesh kryesisht emigrantë që kthehen nga dogana e Kapshticës.
Ndërtimi i superstradës Korçë-Qafë Plloçë është një investim i buxhetit të shtetit me vlerë 2.2 milion euro dhe afati i përfundimit është fundi i muajit Dhjetor./tvklan.al
Gazetare: Danjela Zisi