Etnik Brruti dhe Julian Shehu janë dy futbollistë që do të veshin për herë të parë fanelën kuqeze. Të dy mesfushorë, Brruti i Malishevës në kampionatin e Kosovës dhe Shehu i Ëidzeë Lodz kanë fituar besimin e stafit teknik. Por të paktën për ndeshjet e Marsit ndaj Anglisë dhe Andorras do të ketë disa mungesa të rëndësishme. Trajneri Sylvinho shpjegoi arësyet në konferencën e parë për shtyp.
“Me probleme në muskujt në rrëzë të kofshës janë Daku dhe Mitaj. Mbrojtësi do të operohet. Keidi Bare është i dëmtuar në pulpë. Me Elseid Hysajn kam komunikuar vetë dhe mund të jetë i gatshëm për t’u rikthyer pas pauzës së Kombëtares për t’u trajnuar me ekipin e tij”, thotë Sylvinho.
Me gjithë këto mungesa përballë një kundërshtari mjaft të fortë si Anglia, Sylvinho nuk e fsheh që është në vështirësi
“Sa i përket Anglisë, jam dakord, është ndër më të fortat në botë, ka lojtarë shumë të fortë. Ne duhet të punojmë shumë. Më shqetësojnë të dy ndeshjet. Duhet të punojmë dhe t’i përgatisim shumë mirë ndeshjet, sepse janë të ndryshme”, thekson trajneri.
Sylvinho argumentoi edhe mungesat e tjera si Seferi apo Anis Mehmeti.
“Kombëtarja ka nevojë për të gjithë. Kombëtarja është e hapur, duhet të mendojmë në mënyrë strategjike sa i përket ndeshjeve”, shprehet Sylvinho.
Pas dy vitesh me kombëtaren shqiptare, çfarë ndryshimesh mund të bëjë braziliani dhe stafi i tij për të arritur kualifikimin për në botëror?
“Sigurisht që do të bëjmë ndryshime të rëndësishme, stimuj të tjerë, më shumë në fokusin e përqendrimit dhe në aspektin teknik apo taktik, por gjithmonë duke mos humbur ekuilibrin e skuadrës, sepse ai është i rëndësishëm”, thekson trajneri Sylvinho.
Pas ndeshjeve të kampionateve këtë fundjavë, kombëtarja do të nisë zyrtarisht përgatitjet të hënën në shtëpinë e futbollit.
Tv Klan