Saimir Tahiri u pa të hynte në Gjykatën e Krimeve të Rënda pak minuta para orës 11:00 të paradites, për t’u marrë në pyetje dhe për verifikimin e masës së sigurisë, arrest shtëpie, caktuar tre ditë më parë.
Seanca zgjati më shumë se dy orë dhe në fund gjykatësja Liljana Baku vendosi të lërë në fuqi masën. Në seancë pati debat mes ish-ministrit, avokatit të tij nga njëra anë dhe prokurorit Besim Hajdarmataj. Hajdarmataj, gjatë argumentimit të tij ka pretenduar se ka paraqitur prova të reja që implikojnë Tahirin në mbështetjen që i ka dhënë grupit të vëllezërve “Habilaj”, në trafikun e kanabisit. Debati më i fortë ishte për një skaf me të cilin pretendohet se ka lëvizur Tahiri, mjet ky që është në pronësi të Orgest Liperit.
Sipas ish-kreut të Krimeve të Rënda, Saimir Tahiri është takuar dhe ka drekuar më Artan Habilajn në Greqi, gjatë kohës kur ka qenë me pushime.
Ai ka thënë se gjatë kësaj kohe, Tahirit i është prishur skafi me të cilin udhëtoi për atje. Mjeti më pas është marrë nga Artani dhe ka hyrë në portin e Sarandës i paregjistruar. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Portin e Vlorës. Skafi nuk është rregulluar dhe më pas është marrë nga Moisi Habilaj dhe është dërguar në Brindizi, por as atje nuk është riparuar.
Kjo gjë, sipas Hajdarmatajt, tregon lidhjen e ngushtë mes tyre. Por ky pretendim u kundërshtua fort nga Tahiri, i cili sqaroi se nuk e ka takuar ndonjëherë Artan Habilajn, se kjo nuk provon implikimin e tij dhe akuzoi prokurorët se janë tendenciozë.
Edhe avokati i tij i hodhi poshtë ato që prokuroria paraqiti si prova të reja. Debat pati edhe për një rast trafiku të 880 kilogramëve kanabis nga Habilajt. Besim Hajdarmataj tha se një peshkarexha italiane “Fatima”, në Maj të vitit 2015, ka hyrë në ujërat shqiptare dhe është kapur nga radari i Porto Palermos, i vetmi që punonte, pasi të gjithë të tjerët ishin fikur.
Është njoftuar policia kufitare e Dhërmiut, e cila drejtohej nga Sokol Bode, i shpallur në kërkim nga prokuroria për këtë çështje. Por pas verifikimeve të kryera, Bode ka njoftuar se gjithçka ishte në rregull.
Ndërsa nga përgjimi i autoriteteve italiane rezultoi se “Fatima” u ngarkua me drogë dhe u kap më pas në Itali.
Prokuroria tha në seancë që është edhe në pritje të disa informacione nga Italia dhe Mali i Zi. Hajdarmataj u shpreh se edhe paratë e gjetura në makinën e Orest Sotës dyshohet se janë të Tahirit. Për këtë, ai tha se ka përgjime ambientale, por nuk bëri të ditur përmbajtjen.
Tv Klan