Paraditen e të hënës kryeministri Berisha ia ka kushtuar shkencës dhe arsimit.
Në takime të njëpasnjëshme Berisha ka qenë i pranishëm në konferencën kombëtare, “Shkenca në shërbim të shoqërisë shqiptare”, të organizuar nga instituti “Albshkenca”, ndërsa më pas ka marrë pjesë në prezantimin e një iniciative të rrjetit studentor në botë për rikthimin dhe punësimin e të rinjve në vendin e tyre pas studimeve në universitetet e huaja.
Duke folur përpara shkencëtarëve, të ardhur jo vetëm nga Shqipëria, por dhe nga trevat ku banojnë shqiptarë Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, kryeministri ka theksuar suksesin që pati zbatimi i reformës në Akademinë e Shkencave.
Sali Berisha: “Mendoj se ia dolëm të vendosim modelin perëndimor, modelin e suksesit, të shkëputemi nga modeli i dështimit në kërkime shkencore që ishte modeli në Suedi t’i sjellim ato pranë katedrave të universiteteve si shtretër, si djep të mendimit intelektual dhe shkencor”.
Ndërsa përpara studentëve të rrjetit të studentëve shqiptarë në botë kryeministri ka renditur të gjitha politikat e ndërmarra nga qeveria e tij për kthimin e trurit në Shqipëri.
Sali Berisha: “Kemi krijuar sistemin e Bengenit. Kemi përcaktuar bonuse për çdo master ekstra universitar. Unë nuk them se është kaq i madh, por prapë është rreth 150 dollarë. Më shumë, më vonë do rritet. Kemi krijuar fondin e ekselencës. Secili prej jush, çdo student shqiptar që do të aplikojë në dhjetë universitetet më të mira të botës do të ketë bursën nga kjo qeveri”.
Iniciativa e studentëve shqiptarë në botë financohej nga kompania celulare, AMC. Presidenti i saj ka premtuar se është i gatshëm të bashkëpunojë me qeverinë shqiptare për digjitalizimin e shkollave të mesme dhe të larta./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka