LSI ka hedhur poshtë aludimet mediatike për një takim Berisha-Meta në qytetin e Pogradecit.

Sekretari i përgjithshëm i kësaj force politike Petrit Vasili shtoi krahas këtij komenti dhe faktin se negociatat mes dy forcave politike janë lënë për një moment të dytë, që pason shpalljen zyrtare të rezultatit për zgjedhjet e 28 Qershorit.

Petrit Vasili: “Nuk kanë filluar negociata të tilla dhe nuk kam se çfarë takimi të konfirmoj sepse nuk ka një takim të tillë. Nuk mendoj që ka asnjë lloj pengu për negociatat. Besoj që deklarimet edhe të zotit Berisha edhe të zotit Meta kanë qenë shumë të qarta, që në kohën, momentin dhe vendin e duhur këto negociata do të fillojnë të jenë publike sepse ju e dini shumë mirë që ndërmjet momentit që rezultati merr një pamje përfundimtare, gjë të cilën nuk e keni sot në duar dhe deri në momentin kur përfundimisht këto negociata duhet të përmbyllen, është një kohë e caktuar e cila duhet të përdoret me ekonomi dhe inteligjencë në të mirë të ndërtimit të një qeverie të re racionale dhe që shkon në fillimin e shtatorit, kur ajo do të votëbesohet institucioni i vetëm që është parlamenti me një strukturim të qartë dhe që respekton jo vetëm rezultatet zgjedhore, por dhe ato që janë objektiva të mëdha programore në kushtet e krizës ekonomike.”

Komentet e tij Vasili i beri pas një deklarimi zyrtar që lidhet me sezonin turistik. LSI këmbëngul që turistëve tu ofrohen kushte sa më të mira pushimi përfshi ato të shërbimit shëndetësor, energjisë elektrike, furnizimit me ujë të pijshëm.

Bashkë me këto kërkesa drejtuar autoriteteve lokale dhe qendrore një apel ju drejtua edhe operatorëve turistike për paketa sa me elastike në çmime./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi