Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Kryeparlamentari Gjinushi ka arritur sot të ulë në një tavolinë të përbashkët dy kreret e partive politike të shqiptarëve te Maqedonisë, Arbër Xhaferri dhe Abdurraman Haliti. Gjinushi u ka bërë apel Xhaferrit dhe Halitit të ushtrojnë influencën e tyre mbi politikanët e Lidhjes Demokratike që aktualisht ndodhen në Maqedoni, që kjo parti të zërë vendet e saj në qeverinë Thaçi. Në lidhje me këtë çështje kryeparlamentari Gjinushi u shpreh.

Skënder Gjinushi, kryetar i parlamentit:- “I sugjeruam njëri-tjetrit apo ramë dakort me njëri-tjetrin që ne do të ushtrojmë gjithë influencën tonë si shqiptarë, si kolegë, që të shkohet drejt unifikimit ose të mbahet ai unitet që u arrit. Dhe mos bëjmë hapa mbrapa por përkundrazi të bëjmë hapa para”.

Gazetari:- Kjo nënkupton pjesmarrjen e LDK në qeverinë Thaçi?

Skënder Gjinushi, kryetar i parlamentit:- “Ky është problemi aktual. Një ndër debatet aktuale, jo se është problemi i vetëm. Sepse këtu ka. Nuk është vetëm problemi të mbështesim këtë qeveri. Problemi është që të mos lejojmë pastaj edhe devijime nga kërkesa që kanë shqiptarët. Sepse ne pavarësisht duke u zhveshur nga çdo paragjykim nëqoftëse dikush nesër duke abuzuar me mandatin e vet del dhe flet në emër të Kosovës duke kërkuar një zgjidhje që s’është zgjidhje ai do të denoncojë dhe ne do të distancoheshim prej tij, kushdo qoftë ai”.

Në përfundim të deklaratës së tij kryeparlamentari Gjinushi ka publikuar për herë të parë kopjet e dokumentit të nënshkruar nga Thaçi, Rugova e Qosja, më 23 Shkurt në Rambuje për krijimin e qeverisë së përkohshme të Kosovës deri në zgjedhje. Sipas këtij dokumenti UÇK, LDK dhe LBSH kanë rënë dakort të kenë përfaqësi të barabartë në qeverinë e përkohshme të Kosovës./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame