Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Përpara se të hartohen ligje që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me komunitetin, ministritë duhet të diskutojnë njëherë me shoqatën e bashkive. Kryebashkiaku i Tiranës, në një takim të zhvilluar me iniciativën e dy ministrive, asaj të Rregullimit të Territorit dhe Turizmit dhe të Pushtetit Vendor e Decentralizimit, ku ishin të ftuar kryetarët e të gjithë bashkive i ka kërkuar ministrit Fino, të tërheq mbrapsht projektligjin e hartuar për strehimin.

Edi Rama:- “Është thjesht një ligj, që nuk bënë asnjë gjë tjetër përveçse kalon topin, apo po të doni quajeni me një emër tjetër, kopil i themi ne nga anët tona, në derën e bashkisë, që do të thotë, që nga aprovimi i ligjit dhe më tutje, bashkitë jo vetëm që do të duhet të mbajnë përgjegjësinë për të strehuar të pastrehët, por pa pasur asnjë fond, pa pasur asnjë politikë të përcaktuar, pa pasur asnjë program, thjesht dhe vetëm do të jenë fajtore pa faj përball qytetarëve”.

Ndërkohë që Rama e ka quajtur të pajustifikueshme që ende nuk ekziston një ligj për urbanistikën, ai e ka quajtur gjithashtu tepër shqetësues faktin se ende në Shqipëri ndërtohet pa iu përmbajtur asnjë parametri të sigurisë, duke rrezikuar jetën e qytetarëve që blejnë apartamente të reja. Sipas ministrave Fino dhe Blushi, decentralizimi i pushtetit lokal përbën një sfidë për këtë vit të ri.

Ministri Fino preku në këtë takim dhe temën e turizmit, duke e cilësuar si një burim zhvillimi ekonomik për të cilin, nuk mund të mendojë vetëm qeverisja qendrore.

Bashkim Fino:- “Kërkohet prej jush të impenjohemi më seriozisht në pastrimin e plazheve që mbetet një nga pikat më të dobëta, ndoshta të çdo sezoni turistik. Nga ana tjetër, unë premtojë edhe në emër të qeverisë, se buxheti i shtetit do të impenjohet sivjet për sigurimin shtesë në grumbullimin dhe largimin e mbeturinave. Është e palejueshme që sezoni turistik t’i gjejë sërish plazhe të tëra me hotele, që nuk i paguajnë taks askujt, apo që vendosin yjet sipas qejfit të tyre”.

Takimi vazhdojë me diskutimin e të gjithë kryetarëve të bashkive për problemet më kyçe që evidentohen në qytet që ata drejtojnë./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka