Ekonomia e Kinës u rimëkëmb në tre muajt e fundit të vitit të kaluar, duke i dhënë mundësinë qeverisë që të arrijë qëllimin e saj për rritje ekonomike deri në 5% në 2024-ën. Kështu deklaroi Pekini zyrtar këtë të premte.

Megjithatë kjo rritje është një prej më të ngadaltave në dekada ndërkohë që ekonomia e dytë më e madhe botërore po lufton me krizën e zgjatur të pronave, borxhin e lartë të qeverisë lokale dhe papunësinë mes të rinjve.

Kreu i byrosë së statistikave tha se arritjet ekonomike të Kinës për vitin 2024 janë realizuar me “shumë djersë” për arsye se qeveria lëshoi disa masa stimuluese vitin e kaluar.

Megjithatë në Kinë po përgatiten për rikthimin e Presidentit të zgjedhur, Donald Trump dhe tarifat me vlerë 500 miliardë dollarë që ai pritet të vendosë mbi mallrat kinezë. Megjithatë kjo nuk është e vetmja gjë që po pengon rrugën e Kinës për të arritur qëllimet e saj për rritjen ekonomike vitin e ardhshëm.

Besimi i bizneseve dhe konsumatorëve është i ulët, ndërsa paraja kineze do të vazhdojë të dobësohet në një kohë që Pekini po ul normat e interesit në përpjekje për të nxitur rritjen.

BBC rendit tre arsye pse presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka sfida më të mëdha se tarifat e Trump.

1.Tarifat po i dëmtojnë ndërkohë eksportet kineze

Ka shumë zëra që paralajmërojnë se ekonomia e Kinës do të ndalojë në vitin 2025. Një nga faktorët kryesorë që ndihmuan në rritjen ekonomike të vitit të kaluar, tashmë është në rrezik. Bëhet fjalë për eksportet.

Kina është mbështetur në prodhim për të ndihmuar në daljen nga ngadalësimi. Kështu që ajo ka eksportuar një numër rekord të makinave elektrike, printerëve 3D dhe robotëve industrialë.

SHBA-ja, Kanadaja dhe Bashkimi Europian kanë akuzuar Kinën se ka prodhuar shumë mallra dhe ka vendosur tarifa ndaj importeve kineze për të mbrojtur punët dhe bizneset.

Ekspertët thonë se eksportuesit kinezë tashmë mund të fokusohen në pjesë të tjera të botës. Megjithatë këto vende të tjera nuk kanë të njëjtin nivel tregjesh si kërkesat në Amerikën e Veriut dhe Europë.

Kjo mund të ndikojë në bizneset kineze që po shpresojnë të zgjerohen. Xi dëshiron që ta transformojë Kinën nga fabrika e botës për mallrat e lira në “centralin” e teknologjisë së lartë deri në 2035-ën.

2.Njerëzit nuk po shpenzojnë mjaftueshëm

Në Kinë, pasuria e familjeve përgjithësisht investohet në tregun e pronave. Para krizës së pronave të patundshme përbënte pothuajse një të tretën e ekonomisë kineze. Në këtë sektor punësoheshin miliona njerëz, që nga ndërtuesit deri te prodhuesit e çimentos apo dizejnuesve të banesave.

Pekini ka zbatuar një sërë politikash për të stabilizuar tregun e pronave dhe mbikëqyrësi i tregjeve financiare, Komisioni Rregullator i Letrave me Vlerë në Kinë ka thënë se do të mbështesë fuqishëm reformat.

Por ende ka shumë shtëpi dhe ndërtesa tregtare boshe dhe kjo bën që çmimet të bien. Rënia e tregut të pronave pritet të arrijë fundin këtë vit, por gjigandi bankar i Wall Street, Goldman Sachs, thotë se rënia do të jetë një zvarritje shumë vjeçare në rritjen ekonomike të Kinës.

3.Bizneset nuk po shkojnë në Kinë si dikur

Presidenti Xi ka premtuar të investojë në industritë më të avancuar që qeveria i quan si “forcat e reja prodhuese”. Deri më tani kjo e ka ndihmuar Kinën që të bëhet lider në mallra si produktet për energjinë e rinovueshme, për shembull panelet diellore dhe bateritë për makinat elektrike. Vitin e kaluar, Kina kaloi Japoninë si eksportuesi më i madh i makinave.

Por tabloja e dobët ekonomike, pasiguria mbi tarifat dhe pasiguritë e tjera gjeopolitike nënkuptojnë se oreksi i bizneseve të huaja për të investuar në Kinë është ulur. Siç është shprehur Stephanie Leung nga platforma StashAway, kjo nuk ka të bëjë me investimet e huaja apo të brendshme, por me faktin se bizneset nuk shohin një të ardhme të ndritur atje.

Ndërkohë vitin e kaluar në Kinë ka pasur mbi 900 protesta nga Qershori në Korrik të drejtuara nga punëtorët dhe pronarët, 27% më shumë se periudha e një viti më parë. Këto lloj tensionesh sociale vijnë si rezultat i ankesave ekonomike dhe pritet të jenë shqetësim për Partinë Komuniste Kineze. Megjithatë, rritja e vitit të kaluar e ktheu Kinën në një fuqi globale dhe premtimi për rritjen e mirëqenies dhe prosperitetit ka ndihmuar liderët e saj të mbajnë të heshtur edhe ata që ngrenë zërin./tvklan.al