Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Pretendimi për të rritur çmimin e bukës është i pabazë dhe spekulativ. Nëse prodhuesit e saj ndikohen nga rritja e çmimit të energjisë në rastin më të keq, ndryshimi duhet të ishte 1%, gjë që është e papërfillshme, por edhe po të llogaritet çmimi i ndryshuar i grurit dhe miellit në botë, rritja sipas drejtorit të përgjithshëm të tatimeve shkon në 6 apo 7%, jo aq sa kanë deklaruar prodhuesit e bukës.
Tatimorët nuk besojnë në këtë rritje dhe do të jenë nën kontroll ditët e para të shkurtit.
“Ajo pjesë spekulative, që po tenton të rrisë çmimin në mënyrë, për ne jo të argumentuar, të ndëshkohet respektivisht. Do analizojmë situatën në strukturat e kostos, përqindjet e fitimit dhe do të shohim se cili do të jetë realiteti”.
Gazetarja: Nëse çmimi është rritur abuzivisht?
“Kuptohet, që ndëshkimi është që ata të paguajnë tatimet përkatëse për këto rritje çmimi. Unë nuk besoj se do të ketë rritje çmimi në treg, për shkak të konkurrencës që ekziston midis prodhuesve të bukës”.
Lajmi trondit shtresën në nevojë e që për ta rritja e çmimit të lëndës së parë që është buka, vështirë të përballohet.
Gazetarja: Sa bukë blini në ditë sot dhe sa ju kushtojnë ato?
Qytetari:- “Mesatarisht për familjen time, rritja e çmimit të bukës kushton rreth 400 lekë të vjetra”.
Qytetarja:- “Nuk ka kontroll nga shteti, nga qeveria dhe prandaj i bëjnë këto lloj ngritjesh çmimesh, për mua janë të pakontrolluara”.
Konfederata sindikale e quan padrejtësi sociale, ajo do të dalë në protesta, nëse qeveria nuk ndërhyn.
Xhaferr Dobrushi:- “Ne do të presim deri të hënën që është paralajmëruar më datën 1 Shkurt, sa është rritja e çmimit dhe menjëherë pas kësaj nëse nuk do të ketë zgjidhje nga ana e qeverisë, menjëherë do të pasohen me protesta në të gjithë vendin”.
Shpresa duhet mbajtur tek tatimorët, të cilët do të ndërhyjnë me gjobitje në raste shkeljesh./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti