Ishte një nga momentet më të veçanta të Euro 2016.
Përballja e vëllezërve Xhaka në ndeshjen e grupit A mes Shqipërisë dhe Zvicrës u komentua gjatë gjithë turneut, ndërsa për herë të parë në lidhje me këtë “derbi brenda familjes” është kthyer të flasë Taulanti.
Edhe një herë, mesfushori i Kombëtares kuqezi e ka cilësuar si një ndeshje speciale atë kundër vëllait të tij.
“
Ishte diçka shumë e veçantë, më shumë për familjen time. Sigurisht, që për mua personalisht nuk ishte e thjeshtë të përballesha në fushë me tim vëlla megjithatë ne jemi profesionistë dhe u sollëm si të tillë në lojë. Dhamë gjithcka në fushë dhe në fund e përgëzuam njëri-tjetrin”,
është shprehur Taulant Xhaka.
Debutimi i Shqipërisë në finalet e një turneu ndërkombëtar ishte pozitiv, por keqardhja që Kuqezinjtë nuk arritën të luanin përtej fazës së grupeve mbetet.
Ashtu si të gjithë lojtarët e tjerë të ekipit dhe tifozët, edhe Taulant Xhaka shpresoi deri në fund që Kombëtarja Shqiptare të kalonte në fazën tjetër mes skuadrave të treta më të mira.
Por kaloi Portugalia që në fund u shpall edhe Kampione e Europës.
“Portugalia në përfundim të fazës së grupeve kishte po aq pikë sa ne. Madje ne duhet të prisnim deri në ndeshjen e tyre për të mësuar nëse do të vazhdonim më tej. Gjithsesi duhet ta pranojmë që Portugalia kishte një skuadër të fortë. Nuk ka sesi të jetë ndryshe, pasi Europianin nuk e fiton rastësisht por e fiton kur ke një skuadër të fortë
”, ka thënë Xhaka.
Mesfushori ka folur edhe për të ardhmen e tij, duke rrëfyer dëshirën e tij për të vazhduar karrierën me Bazelin në kampionatin zvicerian.
Tv Klan