Dhurimi i banesës është shkaku që Miranda ka thirrur në “Shihemi në Gjyq” bashkëshortin e saj, Xhezmiun. Veç pakënaqësive të tjera të grumbulluara përgjatë 30 viteve që ajo i shpreh herë pas here në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, arsyeja më kryesore është shtëpia.

Në vitin 2021, kur ka qenë i sëmurë me Covid, Xhezmiu ka firmosur dhurimin e shtëpisë duke ia dhënë djalit të tij të dytë nga martesa e parë. Miranda dhe Xhezmiu kanë edhe dy fëmijë të tjerë, djalë e vajzë.

Xhezmiu pretendon se ka firmosur në tri fletë të bardha, por ndërmjetësja Eni Çobani vëren disa parregullsi në firmën e tij në kontratën e dhurimit. Kjo ngre dyshime për vërtetësinë e saj. E njëjta gjë ndodh edhe në deklaratën noteriale.

Ndërkohë zbulohet edhe diçka tjetër. Prej vitit 2023, si rrjedhojë e kësaj problematike, Miranda dhe Xhezmiu janë të divorcuar, por jetojnë në të njëjtën shtëpi nga pamundësia. Edhe pse në këtë situatë, Miranda vijon të kujdeset për të për shkak të gjendjes shëndetësore.

Xhezmiu ka kaluar një sërë vështirësish shëndetësore, por Eni Çobani shpjegon se janë marrë masat dhe miratimi i mjekut që ai mund të marrë pjesë në këtë seancë.

Miranda: Kam hequr shumë nga ai!

Ardit Gjebrea: Je divorcuar ti me Xhezmiun?

Miranda: Po! Nuk mundesha më! Sëmura fëmijët!

Eni Çobani: Por jetojnë sërish së bashku sepse pamundësia e një banese tjetër, i ka bërë të jetojnë.

Miranda: Sepse djali le që i mori shtëpitë, por nuk ikte. Ka ngrënë Vitin e Ri në shtëpi, na vinte i dehur, na vinte era drogë. M’u shkatërruan fëmijët! Nuk mundesha më!

Xhezmi: Do t’ia marr unë shtëpitë, do t’ia marr!

Miranda: Ç’e doja unë mbiemrin e këtij? Unë asnjë ditë s’kam qenë e martuar me këtë! Me të gjitha këto që më ka bërë ky e që ka qëndisur Ilmije Brahimi, noterja, i bie që unë s’kam jetuar, ndoshta i kam bërë nëpër mullarë fëmijët me këtë!

Eni Çobani: Shkak i divorcit tuaj ka qenë pikërisht dhurimi?

Miranda: Po, kjo ishte!

Eni Çobani: Pra ti nuk pranove këtë moment të fundit?

Miranda: Nuk mundesha më moj! Për çfarë ta mbaj unë mbiemrin e tij? Për çfarë ta mbaj unë burrë atë?  Më thuaj ti, ku ta kap unë atë? Ta marr nga mbrapa?

Eni Çobani: Nuk është puna për ta kapur, por për të jetuar!

Xhezmi: Ç’të keqe ke parë nga unë ti?

Miranda: Ai është bërë që e laj unë, e shpëlaj unë, e ngre unë, e ushqej unë!

Eni Çobani: Asnjërit nga ne s’i dihet si na vjen jeta, Xhezmiut i erdhi në këtë formë, mund të të vinte edhe ty!

Ardit Gjebrea: Ai ka nevojë për ty!

Miranda: Po edhe unë kisha nevojë! Mua s’më është fërkuar njëherë kjo (tregon shpatullat). Një ‘faleminderit’ nuk më është thënë. A është e vërtetë që të laj unë, të shpëlaj unë, është e vërtetë?

Xhezmi: E vërtetë është, ik ulu!/tvklan.al