Deputeti Salianji në bisedën në studio me gazetarin e Klan News Besard Jacaj u ndal edhe tek çështja “Babale” teksa ditën e enjte pritet edhe vendimi i Apelit.

Salianji u shpreh se pret drejtësi nga seanca që pritet të mbahet ditën e enjte më 26 Shtator. Deputeti demokrat theksoi se nuk ka bërë kallëzim siç është formuluar, por denoncim.

Ervin Salianji: Pres drejtësi dhe pres që një çështje që është e stisur nga fillimi deri në fund, pra në përgjithësi në çështje gjyqësore mund të ketë një problematikë, kjo ka 1000 problematika sepse nuk është çështja fare. Parimi në drejtësi është që ata që bëjnë akuzën duhet të provojnë fajësinë. E para njëherë nuk ka një akuzë. Unë akuzohem për denoncim publik pra nuk është vepër publike. Unë kam bërë denoncim publik, pra si mund të ketë një vepër kur nuk ka kallëzim.

Kujtojmë se katër ditë më parë, pas më shumë se 4 orë seancë gjyqësore, Apeli ka shtyrë vendimin për deputetin demokrat, Ervin Salianji në lidhje me çështjen “Babale”. Vendimi përfundimtar për Salianjin do të jepet më 26 Shtator, ora 13:00.

Deputeti demokrat u shpall fajtor nga Shkalla e Parë me 1 vit burg për kallëzim të rremë në lidhje me çështjen “Babale”. Në Apel, çështja është dërguar dhe nga gazetari Jetmir Olldashi, i cili në Shkallën e Parë u dënua me 6 muaj burg të konvertuar në 100 orë shërbim komuniteti.


Vendimet e Shkallës së Parë për dosjen “Babale”:

1 vit burg për Ervin Salianjin, i akuzuar për kallëzim të rremë.

Albert Veliu, i njohur ndryshe si “Babalja” është dënuar me 3 vite e 5 muaj burg për veprat penale “kalim i paligjshëm kufiri” dhe “kallëzim i rremë”.

Fredi Alizoti u dënuar me 2 vite burg, ndërsa gazetari Jetmir Olldashi me 6 muaj burg që iu zëvendësua me 100 orë pune.


Akuzat:

Sipas prokurorëve, të katërt të akuzuarit, për qëllime politike kanë krijuar një provë të rreme përmes një audio-përgjimi se Geron Xhafaj, vëllai i ish-Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka kryer vepër penale të trafikimit të lëndëve narkotike.

/tvklan.al