Ashtu siç kishte premtuar edhe më herët, Sali Berisha shkoi për ta vizituar nga afër ish-deputetin demokrat Ervin Salianji, i cili vuan dënimin në burgun e Fierit prej 27 Shtatorit të vitit të kaluar. Për kreun e opozitës, dënimi i Salianjit është politik, pasi ai denoncoi 2 prej klaneve më mafioze në Shqipëri.
“Salianji goditi me një të rënë dy klanet mafioze më të rrezikshme të Shqipërisë dhe të Ballkanit, klanin Rama dhe klanin Xhafa, u vërsulën kundër tij me të gjitha mjetet e mafies dhe sot ai vuan dënimin për shërbimin e madh dhe të çmuar që i bëri Shqipërisë”, tha Berisha.
Aktualisht, çështja për të cilën është dënuar Salianji ndodhet në Gjykatën e Lartë, pasi ish-deputeti demokrat ka bërë rekurs. Por Sali Berisha thotë se kauza e tij është ndërkombëtarizuar.
“Shqipëria damkoset si vendi i të burgosurve politikë. Jemi një vend, ku shteti dhe krimi janë sipërmarrje e përbashkët. Drejtësia është bërë mashë politike”, u shpreh kryedemokrati.
I pyetur nëse do të tërhiqet nga politika nëse nuk ndodh rrotacioni në parlamentaret e 11 Majit, Berisha dha këtë përgjigje: Është misioni për të cilin unë zotohem gjer në orën e fundit të jetës sime.
Gjatë vizitës në burgun e Fierit ku pa nga afër ish-deputetin Salianji, Berisha u shoqërua edhe nga Sekretari i Përgtjithshëm, Flamur Noka. Deputeti demokrat prej muajit Shtator po qëndron në burgun e Fierit pasi Gjykata e Apelit konfirmoi dënimin me 1 vit burg ndaj tij për kallëzim të rremë në lidhje me dosjen “Babalja”.
Tv Klan