AKPA: Kryesisht janë aplikantë me arsim të lartë
Fillimi i vitit 2024 e gjeti pa punë, 23-vjeçaren Fiorida Kofsha. Pas një periudhe të vështirë kërkimesh, ajo tregon se vendosi të aplikojë në skemën e Garancisë Rinore, një program që po zbatohet me mbështetjen e Bashkimit Europian i dedikuar për të rinjtë e papunë të regjistruar në zyrat e punësimit, të cilët brenda një periudhe 4-mujore duhet të marrin një ofertë punësimi apo formimi profesional.
Fiorida Kofsha, përfituese e garancisë rinore: Kisha një periudhë shumë të gjatë kohore, gati 3-4 muaj dhe u detyrova që të regjistrohesha të garancia rinore për një vend pune. Thash që kam pasion kuzhinën dhe më punësuan.
Fiorida tashmë po ushtron pasionin e saj në një nga pastiçeritë e Tiranës, edhe pse studimet e larta i ka përfunduar për operatore dhe këshilluese në përkujdesjen shëndetësore.
Fiorida Kofsha: Ama duhet të zgjedh edhe pak pasionin tim, pasionet e mija janë gatimi. Po bëj gati një muaj e gjysëm që po punoj.
Që prej fundit të muajit Tetor 2023 kur nisi pilotimi i Garancisë Rinore në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë, kanë aplikuar më shumë se 340 të rinj të papunë.
Klevis Hysa, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Punësimit: 63% e të rinjve që aplikojnë për Garancinë Rinore kanë arsim të lartë, kryesisht në fushat e ekonomikut, juridikut, inxhinierisë. Rreth 50% e tyre sot i është dhënë një ofertë pozitive, punësimi dhe formimi profesional.
Kjo skemë synon të mbështesë në total rreth 18 mijë të rinj nga mosha 15-29 vjeç.
Klevis Hysa: Kjo iniciativë do fillojë në nivel kombëtar nga fundi i vitit 2024, fillimi 2025.
Në tremujorin e fundit të vitit 2023, 22% e të rinjve në vend rezultuan të papunë.
Tv Klan