Teatri “Migjeni” e çeli sezonin e ri me komedinë premierë “Krimi është i imi” të regjisores Driada Dervishi.
Spektatorët shijuan interpretimet e aktorëve shkodranë si dhe atyre të Teatrit Kombëtar. Pjesë e kësaj shfaqje ishte edhe mjeshtri i humorit Besnik Çinari.
“Një shfaqje e veçantë e vendosur ndryshe nga sa jemi mësuar. Unë kam kaluar 50 regjisorë edhe kjo më ka bërë shumë përshtypje”.
Për regjisoren Dervishi kjo ishte shfaqja e parë në Shkodër.
“Ishte publiku i fundit që nuk kisha ardhur për të dhënë një shfaqje në të gjithë rrethet e Shqipërisë dhe mund të them që jam kaq e lumtur”.
Duartrokitjeve të publikut iu bashkua edhe kryetari i bashkisë Benet Beci që u ngjit në skenë për t’i falenderuar protagonistët për punën e bërë.
“Një pritje e jashtëzakonshme nga spektatori shkodran. Jam shumë e emocionuar”, u shpreh aktorja Olta Daku.
“Pamë që salla ishte plot, u prit shumë mirë. Një shfaqje që do ndiqet, do ketë jetën e gjatë”, tha aktori Jozef Shiroka.
Komedia “Krimi është i imi” do të shfaqet edhe në datat 14 dhe 15 Shtator në skenën e teatrit “Migjeni”.
Tv Klan