SHBA kanë rihapur ambasadën në Jemen, pas dy ditësh mbyllje për shkak të kërcënimeve për sulme terroriste nga Al Kaeda. Pas vendimit të amerikanëve edhe Britania e Madhe ka rihapur dyert.
Megjithatë burime diplomatike thanë se konsullatat në vendin arab do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura.
Sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton deklaroi se Jemeni po kthehet në një bazë të terrorizmit ndërkombëtar. Ndërsa presidenti Barack Obama ka thirrur në një mbledhje këshilltarët e sigurisë. Në qendër të takimit, ku marrin pjesë edhe Clinton e Gates, do të jetë atentati i dështuar mbi avionin e linjës Amsterdam-Detroit të kompanisë Delta Airlines.
Pritet që kreu i Shtëpisë së Bardhë të bëjë gjithashtu publike edhe një sërë ndryshimesh mbi planin mbrojtës ndaj terrorizmit. Funksionarë të Shtëpisë së Bardhë kanë pranuar se atentati i dështuar nxorri në pah gabime që administrata amerikane duhet të marrë masa urgjente për t’i korigjuar.
Krahas SHBA edhe Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe kanë marrë masa për rritjen e kontrollit dhe masave të sigurisë nëpër aeroporte.
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka pranuar propozimin e kryeministrit britanik Gordon Broën për mbajtjen e një konference mbi situatën në Jemen më 28 Janar në Londër.
Tv Klan