Prestigjiozja britanike “The Times” i ka kushtuar një artikull turizmit në Shqipëri, duke e cilësuar si një vend befasues qëndrimi luksoz më i mirë në Europë, i cili po rishpik veten si një destinacion i nivelit të lartë me kosto të ulët.
Artikullin e “The Times” e ka shpërndarë Kryeministri Edi Rama, i cili thekson se: “Një ndër tribunat më të respektuara të botës mediatike, e cilëson Shqipërinë, jo vetëm si një vend me plazhe magjepsëse e rërë të bardhë, por tanimë edhe si ofruese e përvojave të turizmit të nivelit të lartë me rritjen e numrit të hoteleve me standarde optimal”.
Sipas Ramës, zhvillimi i sektorit të turizmit në Shqipëri ka bërë që investitorë të fuqishëm ti kthejnë sytë nga Shqipëria ku tanimë kemi disa marka ndërkombëtare si Melía, Radisson, Marriott, Hilton, Swiss Hotel, Intercontinental apo Hyatt, gjë që sipas tij ishte krejt të pamendueshme deri disa vjet më parë.
Një shtysë tjetër turizmit, sipas Ramës do ti japi edhe finalizimi i aeroportit të Vlorës, i cili do të bëj të mundur që vendi ynë të jetë edhe më shumë në qendër të vëmendjes së turistëve nga e gjithë bota.
Sipas të dhënave zyrtare, mbi 120 mijë qytetarë britanik kanë zgjedhur Shqipërinë për pushime gjatë vitit 2024, duke bërë që numri i tyre të rritet me 37% krahasuar me vitin paraardhës.
Klan News