Është emëruar prej tre muajsh, por vetëm tashmë ka marrë drejtimin zyrtarisht të kombëtares së Anglisë.

Thomas Tuchel ka nisur nga puna për të rikthyer “Tre Luanët” në majën e futbollit Botëror. Gjermani u emërua nga Federata e Futbollit në muajin Tetor, duke nënshkruar një kontratë 18-mujore, ekuivalente me përfundimin e kampionatit Botëror 2026. Një mision që e nis kundër Shqipërisë.

Përballë kuqezinjve, Anglia do të zbres në mitikun “Uemli” më 21 Mars, për t’u pasuar më pas me ndeshjen kundër Letonisë.

Tekniku gjerman ka pasuar në këtë detyrë trajnerin Garet Sauthgejt, që e drejtoi kombëtaren për 8 vite.

Sauthgejt udhëhoqi “Tre Luanët” në dy finale të Kampionatit Evropian, si dhe në gjysmëfinalet dhe çerekfinalet e Kupës së Botës.

Tuchel u bë trajneri i tretë i huaj që udhëheq këtë kombëtare, pas Sven-Goran Erikson dhe Fabio Kapelo.

51-vjeçari do të ndihmohet nga Enthoni Bërri, anglezi që ka punuar me të në Chelsea dhe Bayern Munich.

Gjermani ka fituar Botërorin e Klubeve me londinezët, teksa titujt kampion me PSG e Bayern Munich, për t’u larguar nga gjigand gjerman pasi përfunduan të tretët në Bundesligë.

Klan News