Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Tre vjet pas sulmeve terroriste në Nju Jork dhe në Washington, të gjithë popujt në botë vazhdojnë të luten dhe të kujtojnë me dhimbje 3 mijë viktimat e shkaktuara nga goditja e dy kullave binjake në Nju Jork.

Një agjendë përkujtimore ka pasur sot në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, ku gjithçka ka nisur me një mëngjes lutjesh. Sot kanë qenë të gjithë aty, përfaqësues të tre feve, të politikës dhe biznesit, artit dhe kulturës, për të ndarë të gjithë së bashku dhimbjen për viktimat e terrorizmit dhe për të mos hapur asgjë që shkoi.

Besnik Aliaj, drejtuesi i Co-plan, ka çelur me këtë rast ekspozitën me fotografi, të cilat përcjellin jo vetëm ditën e zezë të lirisë, por dhe kohët e mira dhe të paqta në Amerikë. Po për këtë ditë, Aliaj ka publikuar edhe librin e përkthyer prej tij “Never forget”, Kurrë mos harroni, një përmbledhje me artikujt më të goditur në mediat amerikane, të cilat sjellin fakte dhe realitetin e kësaj sfide.

Besnik Aliaj: “Qëllimi ka qenë që t’i tregojmë edhe njëherë komunitetit që ka dhe një Amerikë tjetër që nuk është vetëm 11 Shtatori, ka një Amerikë që krijon, punon, një Amerikë agresive, e cila është avangarde e qytetërimit botëror dhe kombinimi i këtyre të dyjave dmth. është përpjekur që të pasqyrohet nëpërmjet kësaj ekspozite”.

Ndërsa në kinema “Millenium 2” është shfaqur premierë filmi dokumentar i vitit 2002, një film dokumentar rrëqethës, i realizuar nga kamera amatore të rastit, të cilat kanë xhiruar çastet më tragjike të ditës së 11 Shtatorit./tvklan.al

Gazetare: Mira Kazhani