Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, ka bërë fajtor bashkinë e Tiranës dhe drejtorinë e ujësjellësit për makthin e furnizimit me ujë që vazhdon t’u shkaktohet banorëve të kryeqytetit.
Një situatë e tillë mund të shmangej po të ishte planifikuar siç duhej tha ministri Olldashi, teksa ka hedhur poshtë pretendimet e ujësjellësit të Tiranës se kjo ndërmarrje rezulton me humbje.
Sokol Olldashi: “Ka që nga Shtatori i vitit 2007 që bashkia e Tiranës po dëshmon një çështje totalisht të papërgjegjshme duke refuzuar përgjegjësitë e veta ndaj ndërmarrjes së ujësjellësit. Nuk është i vërtetë pretendimi i bashkisë për më shumë pavarësi në menaxhim, i është dhënë ligjërisht shumica vendimmarrëse në këshillat mbikëqyrës. Nuk është i vërtetë pretendimi i bashkisë së Tiranës për bilancin e rënduar të ndërmarrjes së ujësjellësit të Tiranës sepse është realisht një ndërmarrje me fitim neto të qartë. I vetmi problem real që ka sot ndërmarrja është në fakt i shkaktuar nga vetë bashkia dhe nga mungesa e frikshme e planifikimit të qytetit që e ka përçudnuar Tiranën gjatë dekadës së fundit dhe që ka vënë ndërmarrjen e ujësjellësit në pamundësi për ti shërbyer në zonat e veta skajore të qytetit.”
Deklaratat e ministrit Olldashi u bënë gjatë konferencës vjetore të shoqatës së ujësjellës kanalizimeve.
Në të gjithë vendin operojnë 55 ndërmarrje të tilla, çka sipas ministrit të punëve publike nuk është efektive pasi ka kosto të larta administrative që pasqyrohen te tarifat e ujit për konsumatorin.
Sokol Olldashi: “Janë ende shumë ujësjellës dhe shumë të vegjël. Pra kemi nevojë që edhe procesin që nisëm dy vjet më parë të kanalizimit të ujësjellësve ta vazhdojmë ta forcojmë në mënyrë që tu japim këtyre ndërmarrjeve mundësinë që të kemi administrim me kosto më të ulëta dhe të mbulojnë një zonë shërbimi më të madh për ta bërë koston e administrimit që rëndon mbi faturën e qytetarit sa më të pandjeshme.”
Ndryshe nga sa ka ndodhur deri më tani, në fund të vitit, qeveria, ka vënë në dukje ministri Olldashi, nuk do të paguajë faturat e energjisë elektrike për ndërmarrje të ujësjellës-kanalizime, pronësia e të cilave i ka kaluar pushtetit vendor./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro