Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Për herë të parë në Teatrin e Operës dhe Baletit është vënë në skenë një musical amerikan. Statuja e lirisë, e cila dje ishte vendosur në hyrje të TOB, të ftonte të ndiqje këtë risi të skenës shqiptare. West Side Story, historia moderne e Romeos dhe Zhulietës është vënë në skenë me sukses nga një kast shqiptaro-amerikan.

Historia e anës perëndimore mund të përcaktohet si një histori tragjikomike, ku jeta dhe rivaliteti i bandave njujorkeze përbëjnë boshtin e shfaqjes. Nën regjinë e amerikane Nensi Rose, koreografit Justin Sherëud, skenografit Andis Gjoni dhe gjithë protagonistëve të tjerë, si Vikena Kamenica, Erjona Gjyzeli, Dorina Selimaj, Aurel Thëllimi, Silvana Balla, kanë sjellë për publikun një musical të mirëfilltë e të vërtetë.

Vepra është interesante dhe po aq e vështirë dhe për vetë faktin, se brenda saj gërshetohen stile të ndryshme si arie dhe jazz, balet dhe dialog dhe ndoshta një ngjarje e rrallë ka qenë edhe për dy aktorët e mëdhenj të skenës, si Mirush Kabashi dhe Bujar Asqeriu, të cilët kanë qenë pjesë e këtij musicali.

Gazetarja: Është një eksperiencë e re, si të duket?

Mirush Kabashi: “Vërtetë shumë interesante me thënë të drejtën, jemi mësuar vetëm nëpërmjet fjalës të komunikojmë, nëpërmjet sigurisht vlerësimeve dhe psikologjisë, e personazhit etj, ndërsa në këtë rast neve na jepet kënaqësia ose mundësia së bashku me kolegun tim Bujarin, që të komunikojmë edhe me njerëz të cilët gjatë shfaqjes edhe kërcejnë edhe këndojnë, dmth. janë të gjitha mënyrat e të shprehurit skenik, është shumë interesante për ne”.

Bujar Asqeriu: “Është një spektakël që ne për herë të parë e eksperimentojmë kështu, por është bukur midis këngëtarëve, midis valltarëve. Është shumë bukur të dialogosh me këngëtarin me valltarin, të dëgjosh atë si aktorë, shumë interesante është”.

Aurel Thëllimi: “Kemi kaluar shumë vështirësi, kemi kaluar 8 audicione, kemi kaluar shumë peripecira, sepse kemi qenë tërë kohën nën ndikimin e zgjedhjes nga regjisorja amerikane, fati donte që unë të isha sot i pari në këtë skenë”.

Premiera e parë zyrtare e West Side Story është dhënë në Broadëay në vitin 1957./tvklan.al

Gazetare: Mira Kazhani