Ish-futbollisti i Kombëtares, Afrim Tole, foli në Klan News për shortin e kualifikueseve të Botërorit.
Tole deklaroi se askush te Kombëtarja shqiptare nuk e donte Serbinë në grup. Më tej ai thotë se në Serbi mezi po e presin ndeshjen ndaj Shqipërisë, sepse nuk e harrojnë atë që ndodhi në Beograd në vitin 2014.
“Ndoshta të gjithë ne, nuk e kemi pritur Serbinë. Anglia është një nga ekipet më të mira. Nëse nuk do të ishin ata, do të ishte një tjetër ekip i madh. Serbinë nuk e ka dashur asnjëri. Arsyeja e parë është ajo politike. Serbia nuk e harron banderolën e ngritur në Beograd. Arsyeja e dytë është se Sebria nuk është ekip i dobët. Kanë lojtarë të mirë. Ne gjithmonë kemi qenë të qetë. Në Serbi mezi e presin këtë ndeshje. Uroj të jetë mirë organizimi nga ata. Ne jemi më tolerantë.
Gjëja më e mirë është që të ketë një urë bashkëpunimi. Në Shqipëri ka shumë talente. Ardhja e Europianit, është në të mirën e futbollit shqiptar. Europianin mes Shqipërisë dhe Serbisë, e shikoj si urë bashkëpunimi. Uroj të dali si ndeshje e mirë. Të gjithë janë mërzitur që e kanë në grup Shqipërinë mesa më kanë thënë”, u shpreh Tole.
Në kualifikueset e Botërorit, Shqipëria do të jetë pjesë e Grupit K, me Anglinë, Serbinë, Andorrën dhe Letoninë.
/tvklan.al