Tom Holland dhe Zendaya janë prej kohësh në një lidhje, por rrallë shihen bashkë në tapetin e kuq.
I pyetur për këtë, aktori është shprehur për revistën Men’s Health se ka një arsye të fortë.
“Sepse s’është momenti im, është momenti i saj dhe nëse shkojmë bashkë, flitet vetëm për ne”, tha ylli 28-vjeçar.
Holland mungoi gjatë turneut të shtypit për filmat “Dune: Part Two” dhe “Challengers” ku Zendaya është protagoniste, por ata u shfaqën bashkë gjatë disa ndeshjeve të NBA. Edhe pse ai është pjesë e ekranit që prej fëmijërisë, ka rrëfyer se në të shkuarën nuk ndihej rehat me famën.
“Më pëlqen shumë të bëj filma, por s’më pëlqen Hollivudi, s’është për mua. Biznesi më tremb. E kuptoj që jam pjesë e tij dhe më pëlqen ndërveprimi im me të. Thënë kjo, gjithnjë kërkoj si ta largoj veten prej tij dhe të bëj një jetë sa më normale që mundem”, u shpreh ai në një ‘podcast’ në vitin 2023.
Në po atë vit, Holland u shkëput nga Hollivudi për një vit pas vështirësive me filmin “The Crowded Room”.
“Kur të kem fëmijë, nuk do të më shihni më në filma”, thotë ai ndër të tjera për Men’s Health duke theksuar se do ta kalojë të shumtën e kohës “duke luajtur golf dhe të qenët baba. Do të zhdukem nga faqja e tokës”, shprehet aktori.
Tom dhe Zendaya janë të lidhur që prej vitit 2021, por nuk kanë ndërmarrë ende një hap të madh së bashku./tvklan.al