Ditët e fundit në Vjenë nën kujdesin e kryetares së parlamentit austriak, znj. Barbara Prammer është zhvilluar takimi i 5 ndërkombëtar i kryeparlamentareve gra ku ka qenë e ftuar dhe kryetarja e parlamentit shqiptar znj. Jozefina Topalli. 

Gjetja e një vizioni te ri për të shmangur dhunën kundër grave ka qenë në fokusin e takimit.

Ndërsa nuk është lënë jashtë vëmendjes së diskutimeve dhe kriza financiare ndërkombëtare, e cila në këndvështrimin e pjesëmarrëseve u identifikuan si çështje që ndikojnë në përkeqësimin e pozicionit të gruas në çdo vend, pavarësisht zhvillimit social  dhe ekonomik të tij.

 Sipas kryeparlamentares Topalli kjo krize dëmton, së pari gratë për shkak të pozicionit të tyre të pabarabartë, veçanërisht në tregun e punës.

Duke iu ofruar modelin e Shqipërisë që ka realizuar sipas saj rritjen më të madhe ekonomike në Evropë, Topalli vlerësoji se kjo rritje ka ndikuar në mirëqenien e familjes shqiptare dhe në mënyrë të veçantë, të gruas.

Në fjalën e saj Topalli ka theksuar se ndryshimi nuk duhet të vijë vetëm nëpërmjet politikave protektive për gratë, por para së gjithash, ndryshimi vjen nga ajo çka ato bëjnë për vetveten.

Në takimin me homologet e saj, Topalli e vlerësoi si arritje thelbësore të demokracisë shqiptare dyfishimin e numrit të deputeteve gra, duke u shprehur optimiste edhe për rritjen e numrit të grave në qeverinë e ardhshme./tvklan.al