Nënkryetari i Partisë Demokratike Bamir Topi shpreh pasigurinë e grupeve parlamentare për të qenë unik në votat për rrëzimin e kryeministrit Fatos Nano në rast të një mocioni mosbesimi. Për këtë arsye, Partia Demokratike nuk mund të provojë qeverinë socialiste në mungesë të numrave të shumicës në parlament.
Bamir Topi: “Mocioni i mosbesimit në një parlament ku ka vullnete poltiike të deformuara nga ana e mazhorancës nuk do të kishte sens, sepse mosbesimin për zotin Nano tashmë e kanë shprehur mediat, grupet shoqërore. Pra në rast se do të bëhej një sondazh publik me atë çfarë ndodhi ditën e zisë kombëtare ku kryeministri u pa në një nga buzuqet e Selanikut, besoj që sondazhi do të kishte dalë në vlera jashtëzakonisht të larta duke i dhënë përfundimisht atij mesazhin që duhet të largohet nga pozicioni. Në parlament ka raporte të tilla që akoma i mban një grup mbas vetes që mazhoranca mund të realizojë mazhoranca fiktive momentalisht, por mazhoranca që nuk i përgjigjen atij treguesi tepër të gjerë shoqëror që e kontestojnë zotin Nano me gjithë grupin e tij. Ne kemi demonstruar, jo vetëm në parlament, në komunikim me median, në komunikim me publikun, për atë turp të madh që zoti Nano e demonstroi ditën e zisë kombëtare. Kështu që marrja e iniciativës për të realizuar një mocion nuk përbën një mesazh për t’i dhënë mundësi artificiale që zoti Nano të tregojë që ka mbështetjen në parlament. Por sa kohë që ai është i papërgjegjshëm në veprime të tilla, besoj se nuk e ka përgjegjësinë minimale që të bëjë aktin e dorëheqjes.” /tvklan.al