Bamir Topi: “Ngjarja pa diskutim është ekstremisht e rëndë. Në këto moment unë erdha për të shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen, sepse humbja më e madhe është për familjen sigurisht. Për të gjetur forcë, kurajo për të përballuar këtë humbje të rëndë dhe e dyta me cilësinë e institucionit që përfaqësoj t’i garantoj maksimalisht angazhimin, duke i thënë se institucionet e specializuara të shtetit janë në veprim. Të gjithë njerëzit më të kualifikuar, jo për ta zbardhur, sepse është e pamundur të mos zbardhet, po për ta zbardhur sa më shpejt dhe ato që shkaktuan këtë dramë të marrin përgjigjen e merituar nga shteti ligjor.”

Jozefina Topalli: “Është tronditur e gjithë Shqipëria, nuk është goditur vetëm deputeti Fatmir Xhindi, është goditur parlamenti, familja ka humbur njeriun e tyre të dashur, kanë humbur babain e tyre 3 djemtë e mrekullueshëm, bashkëshortin e nderuar, vëllain e tyre, birin e tyre. Unë edhe një herë dua t’i përsërisë ngushëllimet më të sinqerta, familjes, qytetit, kolegëve në emër të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe të përsërisë edhe një herë që duke kërkuar nga të gjithë që të mbështesim policinë, të gjitha institucionet e specializuara, unë jam e sigurt se ato që kanë guxuar të çojnë në dorën, jo thjesht kundra Fatmirit, po kundra Parlamentit të Shqipërisë, Kuvendit të Shqipërisë do marrin ndëshkimin më të egër që është marrë ndonjëherë.”

Edi Rama: “Ky është një moment kur edhe më mosbesuesi nga ata që të njohën do të donte me gjithë forcën e shpirtit që të kishte një Zot, një Zot për t’i dhënë forcë nënë Resmies, gruas, motrës, djemve, vëllezërve të gjithë të dashurve të zemrës tënde këtu e kudo. Një Zot për të na dhënë të gjithëve fuqinë për të luftuar me errësirën e me krimin edhe me më shumë arsye. Një Zot për ta ndihmuar drejtësinë të bëjë drejtësi me një fuqi të re. Një Zot për ta bërë dritë shpirtin tënd e për të të dhënë me pafundësinë e asaj bote atë që kjo bota jonë ta kurseu kaq padrejtësisht. Lamtumirë Xhindi ynë zemërmirë dhe gojëmbël.”/tvklan.al