Prokuroria e Posaçme thotë se dokumentoi ndërhyrjen duke ushtruar ndikim të paligjshëm, apo duke marrë vlera monetare si ryshfet në 8 çështje hetimore të regjistruara në  Prokurorinë e Vlorës, Prokurorinë për Krime të Rënda më pas SPAK, si dhe atë të Tiranës.

Për këto episode, dërgoi në gjyq ish-drejtuesin e Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, ish-oficeren e Policisë Gjyqësore, fillimisht pranë krimeve të Rënda dhe më pas pranë SPAK, Eriona Dapuajn avokatin, Radovan Çela dhe shtetasin, Astrit Vladi.

Hetimi, i cili pati bazë komunikimet në aplikacionin e koduar SKY që rezultoi të ishte përdorur gjerësisht nga krimi i organizuar, tregoi se si zyrtarë të drejtësisë duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe duke e përdorur si mjet komunikimi, kishin ndërhyrë për zgjidhjen e disa çështjeve hetimore në favor të personave që po hetoheshin.

Konkretisht, në një njoftim zyrtar, SPAK sqaron se këta persona kanë ndërhyrë dhe janë korruptuar në zbutjen e rrethanave penale për personat e arrestuar për futjen në Shqipëri të 3.4 milionë Eurove në disa makina Toyota Auris në 2018. Në ekzekutimin e disa letërporosive të dërguara nga autoritetet belge të drejtësisë po për këtë çështje.

Po kështu, sipas SPAK, ata kanë ndërhyrë edhe në mbylljen e një hetimi pasuror të SPAK në vitin 2020 për Suel Çelën, aktualisht i shpallur në kërkim si kreu i një organizate kriminale. Një tjetër ndërhyrje është ai për një hetim për vjedhje në Prokurorinë e Tiranës dhe mbylljen e dy çështjeve në Prokurorinë e Vlorës, njëra prej tyre për kultivim të kanabisit.

SPAK gjithashtu bëri të ditur se është duke vijuar hetimet për këtë dosje në një procedim të ndarë më vetë për zyrtarët e tjerë të drejtësisë që përmenden në komunikime si dhe për akuza të tjera penale.

Tv Klan