Një aeroplan pasagjerësh me 64 persona në të është përplasur me një helikopter ushtarak dhe për pasojë ka rënë në një lumë në Uashington. Deri më tani është bërë e ditur se 18 persona janë nxjerrë prej lumit Potomak, ku ekipet e kërkim-shpëtimit janë të angazhuara për të kërkuar njerëzit e tjerë. Temperaturat është raportuar të jenë tejet të ulëta. Aktualisht nuk raportohet për të mbijetuar, ndërsa autoritetet amerikane janë duke hetuar rastin dhe duke vijuar kërkimet. Aeroporti Kombëtar i Uashingtonit, “Ronald Reagan” i ka ndalur të gjitha fluturimet.

Çfarë ndodhi?

Rreth orës 21:00 të së mërkurës, sipas kohës lokale, një aeroplan i kompanisë PSA Airlines, duke operuar si American Airlines 5432, është përplasur me një helikopter të ushtrisë amerikane, teksa i është afruar aeroportit Ronald Reagan, sipas Administratës Federale të Aviacionit.

Aeroplani i pasagjerëve, i llojit Bombardier CRJ700, është nisur nga Kansasi. Në të kanë qenë 60 pasagjerë dhe katër anëtarë të bordit, sipas American Airlines. Pentagoni ka thënë se helikopteri ka qenë i tipit Sikorsky H-60, i cili ishte nisur nga Virxhinia. Tre ushtarë kanë qenë në bord, sipas rrjetit televiziv, CBS. Administrata Federale e Aviacionit ka thënë se do ta hetojë incidentin, bashkë me Bordin Kombëtar për Siguri të Transportit.

A ka viktima?

Në raportimet fillestare në mediat amerikane është thënë se aeroplani i pasagjerëve është ndarë në dysh në lumin Potomak, ndërsa helikopteri është përmbysur në ujë. Policia dhe departamenti i zjarrfikësve janë duke kërkuar në lumë për të mbijetuarit. Përpjekjet për kërkim-shpëtim mund të shihen nga aeroporti Ronald Reagan, që është afër lumit. Megjithatë, Senatori nga Teksasi, Ted Cruz tha në një postim në rrjetet sociale “se e dimë që ka viktima”, por nuk dha më shumë hollësi.

Çfarë kanë thënë dëshmitarët?

Ari Schulman ka thënë për NBC Washington se e ka parë përplasjen e aeroplanit teksa ka qenë duke i dhënë makinës në afërsi të aeroportit. Ai ka thënë se ulja e aeroplanit është dukur normale, derisa ka parë një dritë të madhe në qiell, si pasojë e përplasjes.

Deklarimet e zyrtarëve amerikanë

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se është informuar plotësisht për “aksidentin e tmerrshëm” dhe që është duke vëzhguar situatën nga afër. “Zoti i bekoftë shpirtrat e tyre”, ka thënë ai përmes një deklarate. Trump i ka falënderuar ekipet e kërkim-shpëtimit për punë e bërë. Nënpresidenti J.D Vance ka bërë thirrje për t’u lutur për ata që janë përfshirë në incident.

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth dhe Sekretari i Transportit, Sean Duffy, të cilët sapo janë emëruar në pozitat e tyre, kanë thënë se janë duke monitoruar situatën. Shefi i kompanisë American Airlines, Robert Isom, ka shprehur “dhimbje të thellë” për përplasjen. Shtetet e Bashkuara nuk kanë regjistruar ndonjë aksident me aeroplanë pasagjerësh qysh prej shkurtit të vitit 2009, ndonëse një mori incidentesh në vjetët e fundit kanë rritur shqetësimet për sigurinë.

/REL