Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Tre studiot fituese në konkursin ndërkombëtar për qendrën e Tiranës, kanë prezantuar projektet që kanë realizuar në vende të ndryshme të botës. Përfaqësuesit e studiove nga Holanda, arkitektë nga Franca dhe nga Gjermania, kanë bërë përpara mediave dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës Edi Rama, një biografi të veprimtarisë së tyre.

E para është prezantuar studioja nga Holanda, që operon prej 25 vjetësh në fushën e arkitekturës dhe ka realizuar mjaft projekte masterplanesh, shumicën e të cilave në Holandë. Përfaqësuesja e kësaj studio, u shpreh se për qendrën urbanistike të kryeqytetit shqiptar do të merret parasysh dhe lëvizja e njerëzve, pasi ajo është pjesë e kulturës së njerëzve të një qyteti.

Studioja nga Parisi “Arkitekturë studio”, një prej tre fitueseve, ka paraqitur përpara të pranishmëve të gjitha projektet e realizuara gjatë 30 viteve të funksionimit të saj. Mes projekteve të prezantuara nga përfaqësuesi i kësaj studio, ishte dhe ndërtesa e Parlamentit Europian në Strasburg, Pallati i Drejtësisë në Gaza, salla e ekspozitave në Paris etj.

Për studion nga Berlini “Bolles & Wilson”, filozofia është e thjeshtë, “ndërtojmë për t’i ofruar mundësinë njerëzve të jetojnë. Ne integrojmë historinë dhe modernen”, u shpreh Peter Wilson, gjatë prezantimit të projekteve të realizuara nga studioja që ai drejton.

Tre firmat fituese në fazën e parë të konkursit, në datën 21 Korrik, do të prezantojnë projektet urbanistike konceptuale përpara një jurie ndërkombëtare, të drejtuar nga kryeministri Fatos Nano, ku do të shpallet dhe studio, që do të fitojë të drejtën për të ndryshuar qendrën e Tiranës. Pas prezantimit të biografisë së tyre në hotel Rogner, përfaqësuesit e tre studiove të shoqëruar nga kryebashkiaku Rama, janë pritur në një takim të veçante nga kryeministri Fatos Nano./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka