Tregtarët, që prej dy dekadash ushtrojnë aktivitet në ambientet e tregut të shumicës, sot nuk janë lejuar të shesin. Policia bashkiake ka bllokuar hyrjen e tregut, çfarë ka revoltuar tregtarët, të cilët kanë protestuar duke hedhur mallin në rrugë.
Për më tepër se një orë, në një segment të unazës së qytetit është paralizuar trafiku, duke krijuar radhë të gjata mjetesh.
Tregtarët kundërshtojnë vendimin e bashkisë për të mos i lejuar të shesin në tregun e shumicës, pas ankesave të tregtarëve të Markatës së re, për konkurrencë të pandershme.
Ata pretendojnë se bashkia nuk i ka njoftuar për vendimin, nga i cili rrezikojnë të mbeten të papunê.
Fermerët e fushës së Korçës, prej dy dekadash i shesin një pjesë të prodhimeve në territorin e tregut të shumicës, që administrohet nga bashkia.
Reagimi i tregtarëve të vegjël të Markatës, për ulje të fuqisë blerëse, si pasojë e konkurrencës që ju bëhej nga tregtarët e shumicës, detyroi bashkinë të vendosë ndërprerjen e tregtisë me pakicë në këtë treg. /ABC News Albania 24/7