Shqetësimi i ngritur nga Televizioni Klan pa evidentimit të dhjetëra pikave të mbushjes së bombolave të gazit jashtë parametrave të sigurisë i është bashkuar edhe Avokati i Popullit.

Nëpërmjet një shkrese drejtuar disa institucioneve ky autoritet evidenton jo pak raste shkelje me rrezikshmëri të lartë gjatë aktivitetit të tregtimit të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tjera në këto pika, që ndodhen fare pranë zonave të banuara.

Florina Nuni: “Është bërë verifikimi i kësaj situate dhe ka rezultuar, që shumë prej subjekteve kanë ushtruar veprimtarinë e tyre në kundërshtim me ligjin, disa prej tyre pa pasur lejet përkatëse. Disa kanë patur leje, por jo leje shfrytëzimi apo autorizim nga bashkia e Tiranës për pikën e karburantit, apo ku di unë se çfarë dhe janë marrë masa, janë vendosur gjoba. Pretendohet nga kryeinspektori që përveç gjobave ka filluar dhe çështja penale të paktën për 6 raste.”

Me këtë shqetësim pajtohet edhe kreu i inspektoratit qendror teknik, i cili këtë problem ia faturon pushtetit lokal.

Ilir Kurti: “Kryesisht pikat në Tiranë nuk kanë autorizimin e bashkisë, domethënë që e kthen këtë pikë nga një pikë të paligjshme në pikë të ligjshme. Nga pikëpamja teknike një pjesë e tyre konsiderohen të rregullta përsa kohë kanë dokumentacionin teknik nga inspektorati, por përsa i përket distancave apo shpeshmërisë së këtyre pikave të karburanteve brenda një qytetit, kjo për ne për shembull konsiderohet anormale, por kjo është gjithmonë problemi i pushtetit lokal. Ne kemi një trashëgimi nga pikëpamja e infrastrukturës së tregtimit të karburanteve shumë dobët. Këto lloj problemesh na kanë ulur atë nivelin e sigurisë në këtë treg.”

I pranuar tashmë si një shqetësim real edhe nga institucionet përgjegjëse dhe monitoruese të këtij tregu. Shitja e gazit të lëngshëm dhe karburanteve pranë zonave të banuara jo rrallë herë është kthyer në kërcënim serioz për jetën e banorëve.

Pak muaj më parë në Lapardha si pasojë e shpërthimit të një depozite gati humbën jetën babë e bijë. Shpërthime të ngjashme pati edhe në Vlorë, ku u shënua një viktimë dhe në Korçë për fat të mirë pa dëme një njerëz.

Në të tilla kushte në bashkëpunim më Ministrinë e Energjetikës, Inspektorati Qendror Teknik po punon për hartimin e një projekti për rritjen e dozës së kontrollit, që duhet të ushtrojë ky autoritet ndaj rasteve ku tregtimi i gazit konsiderohet si i rrezikshëm. /tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro