Donald Trump dhe Kamala Harris bien dakord të përballen për të parën herë në një debat televiziv më 10 Shtator në televizionin ABC.
Kandidati republikan për president e konfirmoi pjesëmarrjen në debat, gjatë një konference për shtyp në rezidencën e tij në Mar-a-Lago të Floridas, pasi më parë ishte shprehur skeptik për përballjen me Kamala Harris.
Demokratët e interpretuan këtë si shprehje frike të Trump ndaj një kandidateje më dinamike se presidenti aktual Joe Biden. Ndërsa, Trump sqaroi arsyet e skepticizmit të deritanishëm.
“Kemi dikë që s’ka marrë asnjë votë për presidencialet dhe ajo po garon. Për mua është në rregull, por një herë kishim Joe Bidenin përballë, tani kemi dikë tjetër, ndërsa unë prisja dikë tjetër”, tha Trump.
Ish-kreu i Shtëpisë së Bardhë që synon rikthimin atje pas 5 Nëntorit tha se ishte gati të caktonte që tani datat edhe për dy debate të tjerë, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje nga zv/presidentja.
Sipas një sondazhi të ri të agjencisë së lajmeve Reuters në bashkëpunim me atë të anketimeve Ipsos, Harris ka thelluar në 5% avantazhin ndaj Trump-it.
Reuters shkruan se sondazhi i zhvilluar online tregon se nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin këtë gusht, demokratja mund të fitonte me 42% të votave kundrejt republikanit që do të merrte 37%.
Tv Klan