Kabineti i Donald Trump tanimë po merr formën e plotë. Trump emëroi Elon Musk në një post që synon krijimin e një qeverie më efikase, duke i dhënë edhe më shumë ndikim njeriut më të pasur në botë, i cili dhuroi miliona Dollarë për të ndihmuar atë të zgjidhej.

Musk dhe ish-kandidati republikan presidencial, Vivek Ramaswamy do të bashkëdrejtojnë një departament të sapokrijuar e që do të jetë përgjegjës për Efikasitetin e Qeverisë, një departament që Trump tha se do të operojë jashtë qeverisë.

Në mesin e emrave më të përfolur për postet më të rëndësishme, Trump njoftoi gjithashtu se do të emërojë ish-drejtorin e Zbulimit Kombëtar John Ratcliffe për të shërbyer si drejtor i CIA-s. Ratcliffe ishte drejtuesi i gjashtë i zbulimit kombëtar, që shërbeu gjatë tetë muajve të fundit të administratës së ish-Presidentit Trump.

Ratcliffe ka kritikuar administratën e presidentit demokrat Joe Biden për politikën që ka ndjekur ndaj Izraelit dhe ka argumentuar se administrata nuk kishte qenë mjaft e ashpër ndaj Iranit.

Mund të jetë surprizë, por prezantuesi i kanalit Fox News, Pete Hegseth, pritet të emërohet si Sekretar i Mbrojtjes. Hegseth është një veteran i Gardës Kombëtare të Ushtrisë dhe ka shërbyer në Afganistan, Irak dhe Gjirin e Guantanamos, Kubë.

Trump gjithashtu ka emëruar Guvernatoren e Dakotës së Jugut, Kristi Noem, për të shërbyer si sekretaren e ardhshme të sigurisë kombëtare, duke zgjedhur një aleate që ka pak përvojë në skenën e sigurisë. “Kristi ka qenë shumë i fortë në sigurinë kufitare. Ajo ishte guvernatorja e parë që dërgoi ushtarë të Gardës Kombëtare për të ndihmuar Teksasin për të luftuar krizën kufitare,” tha Trump në një deklaratë.

Mes të tjerash Trump do të emërojë ish-guvernatorin e Arkansas, Mike Huckabee, si ambasador të SHBA-së në Izrael. Huckabee është një mbështetës i vendosur i Izraelit dhe mbrojtës i vendbanimeve izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor. Huckabee shërbeu si guvernator i Arkansas nga viti 1996 deri në vitin 2007.

Deri më tani Thomas Homanin, është emëruar drejtuesi kombëtar për çështjet e kufirit”, për të drejtuar përpjekjet për të deportuar emigrantët drejt vendeve të origjinës, Elise Stefanik, si ambasadoren e re amerikane në Kombet e Bashkuara si dhe senatorin Marco Rubio për postin e Sekretarit të Shtetit, sipas disa burimeve të cituara nga disa media amerikane. Nëse kjo konfirmohet atëherë politikani nga Florida do të jetë hispaniku i parë që do të shërbejë si kryediplomat amerikan.

Klan News