Për herë të parë që nga fitorja historike presidenti i zgjedhur Donald Trump mbajti një fjalim para mbështetësve në Florida, ku foli rreth prioriteteve të tij menjëherë pas marrjes së detyrës në Janar, përfshirë edhe fundin e konfliktit Rusi-Ukrainë.
Trump u prezantua nga aktori Sylvester Stallone i cili e cilësoi si Xhorxh Uashingtonin e dytë. Presidenti i zgjedhur foli para një audience me profil të lartë, duke përfshirë Elon Musk, Vivek Ramaswamy dhe presidentin argjentinas Javier Milei.
Donald Trump doli në skenë menjëherë pasi njoftoi zgjedhjen e Robert Kennedy Jr. në krye të Departamentit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, agjenci që ka një shtrirje të gjerë, që nga mbikëqyrja e ilaçeve, vaksinave, siguria ushqimore, e deri tek kërkimet shkencore në fushën e mjekësisë dhe programet e kujdesit shëndetësor.
“E kam emëruar dhe mendoj nëse ju pëlqen shëndeti dhe nëse ju pëlqejnë njerëzit që jetojnë gjatë, është pozicioni më i rëndësishëm. Pashë raportet e lajmeve. Njerëz si ti, Bobi. Ne dëshirojmë që ju të gjeni ide dhe ato për të cilat keni folur për një kohë të gjatë.”
Kennedy u zotua se do të punonte për t’i dhënë fund sëmundjeve kronike dhe për t’u ofruar amerikanëve të dhënat që u nevojiten për të marrë vendime të drejta, duke i premtuar Trumpit se do të punonte për “Ta bëjmë Amerikën përsëri të shëndetshme”.
Ish-demokrati kandidoi si i pavarur në garën presidenciale të këtij viti dhe i dha fund fushatës së tij duke shprehur mbështetjen për republikanin Donald Trump me premtimin për të patur një rol në politikën shëndetësore të administratës së ardhshme republikane. Qëndrimi i Kennedy ndaj vaksinave e ka bërë atë një figurë të debatueshme mes demokratëve dhe disa republikanëve, çka ngre pikëpyetje në lidhje me mundësinë e marrjes së konfirmimit në Senatin e kontrolluar nga republikanët.
Trump e përfundoi fjalimin e tij të shkurtër në Florida duke thënë se lufta Rusi-Ukrainë “duhet të ndalet” dhe se do të jetë një prioritet kur ai të marrë pushtetin në Janar. Presidenti i zgjedhur ka thënë vazhdimisht se do t’i japë fund konfliktit menjëherë pas marrjes së detyrës, megjithëse nuk ka detajuar planin e tij për ta bërë këtë.
Klan News