Donald Trump kërcënon ashpër Hamasin, pas vendimit të së Hënës për shtyrjen e lirimit të pengjeve të radhës, parashikuar për të shtunën. Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Trump i vendosi organizatës palestineze si ultimatum, mesditën e të shtunës.

“Anulojeni dhe i gjithë ferri do të shpërthejë, nëse nuk kthehen të gjithë, jo me pikatore, jo dy dhe një dhe tre dhe katër”.

Shefit të Shtëpisë së Bardhë iu përgjigj përmes një reagimi për agjencinë e lajmeve Reuters, zëdhënësi i Hamasit, Sami Abu Zihri.

“I kujtoj Trump-it që ka një marrëveshje që duhet respektuar nga të dy palët dhe kjo është mënyra e vetme për lirimin e pengjeve. Gjuha e kërcënimeve s’ka vlerë dhe vetëm e vështirëson çështjen”.

Hamasi vendosi shtyrjen, pasi akuzoi ushtrinë izraelite se po vonon kthimin e banorëve palestinezë të shpërngulur nga veriu i Rripit të Gazës, duke bombarduar ato zona.

Ndërsa në një intervistë televizive, Trump tha se do t’u hiqet e drejta të rikthehen në Gaza, sipas planit të tij të rindërtimit pasi do t’u ngrihen shtëpi të tjera. Shefi i Shtëpisë së Bardhë kërcënoi Egjiptin dhe Jordaninë me ndërprerje të ndihmave financiare, nëse nuk strehojnë palestinezët.

Tv Klan