Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump ka propozuar ish-përfaqësuesin e Wisconsin-it dhe prezantuesin e Fox Business, Sean Duffy, si Sekretar Transporti.
Nëse konfirmohet, Duffy do të mbikëqyrë politikat e aviacionit, automobilave, hekurudhave, një departament me një buxhet rreth 110 miliardë Dollarë.
Ish-ligjvënësi Duffy, një nga mbrojtësit e Trump, ka qenë anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve për gati 9 vjet dhe gjithashtu anëtar i Komisionit për Financat dhe kryetar i Nënkomisionit për Sigurimet dhe Strehimin.
Ai la Kongresin në vitin 2019 dhe tani është një nga drejtuesit e një emisioni në Fox Business, “The Bottom Line”.
Trump është zotuar të ndryshojë rregullat e administratës Biden për emetimet e automjeteve. Ai ka thënë se ka në plan të zhbëjë rregulloret e rrepta sapo të marrë detyrën në muajin Janar. Këtu përfshihet ulje në kufijtë e emetimeve të gazrave me 50% nga nivelet e vitit 2026 deri në vitin 2032.
Sean Duffy do të përballet edhe me një sërë sfidash në transport. Ai është prezantuesi i dytë televiziv, pjesë e televizionit Fox, që emërohet për një pozicion në kabinetin e ardhshëm të Presidentit të zgjedhur të SHBA-së Donald Trump. Ky i fundit njoftoi më herët se kishte zgjedhur për postin e Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Klan News