Pas pesë vitesh mobilizimi përfundon me sukses misioni i trupave shqiptarë në Irak. Në një ceremoni të organizuar në Mosul ku morri pjesë edhe Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, u ul zyrtarisht flamuri shqiptar duke i dhënë fund një angazhimi 5 vjeçar të vendit tonë krah vendeve të tjera të NATO-s në Irakun e trazuar nga lufta.  Angazhimi i Forcës së Bashkuar shqiptare në misionin e quajtur “Liria e Irakut” filloi në Prill të vitit 2003 me dërgimin e kontingjentit të parë Paqeruajtës. Gjatë këtyre pesë viteve 1338 ushtarë u mobilizuar në këtë mision që kishte si detyrë sigurimin e bazës Viktoria dhe aeroportit të Mosulit.

218 ushtarakët shqiptarë gjatë gjithë mobilizimit të tyre aktual në Bagdad dhe Mosul kanë patur një bashkëpunim të ngushtë me trupat amerikanë, të koalicionit dhe ushtrinë irakene. Marrëdhëniet me popullsinë lokale sipas të dhënave të ministrisë së mbrojtjes kanë qenë tepër të mira. Me qëndrimet korrekte si dhe ndihmën e ofruar për zbutjen e problemeve, ushtarët shqiptarë arritën të fitonin respektin e shumicës së popullsisë irakene, por edhe morën vlerësime maksimale nga forcat e koalicionit.

Tërheqja e paqeruajtësve shqiptarë vjen në një lëvizje të bashkërenduar me forcat e një sërë vendeve që nuk do të qëndrojnë në Irak pas përfundimit të mandatit të Kombeve të Bashkuara. Danimarka dhe Lituania tërhoqi të gjithë kontingjentin të mërkurën, Bosnja gjithashtu, ndërsa Moldavia pritet që të largohet brenda javës. Aktualisht të mobilizuar në Irak, janë SHBA me 143 mijë trupa, Britania me 4100 trupa, Rumania me 600 trupa, Australia me 300 trupa, El Salvador me 200 trupa, Bullgaria me 155 trupa, Lituania me 53 trupa dhe Estonia me 38 trupa. Trupat komando shqiptare do të kthehen në vend të shtunën të shoqëruar nga vetë ministri Gazmend Oketa./tvklan.al