Njësi të parashutistëve rusë kanë hyrë gjatë natës pa pritur një marrëveshje me perëndimorët. Një karvan me mjete ushtarake ruse kanë hyrë në Prishtinë. Raportimet nga Prishtina raportojnë se trupat ruse janë vendosur pranë Aeroportit të qytetit. Ministri Jashtëm Rus Ivanov i ka urdhëruar ato të kthehen mbrapsht. Ai ka deklaruar në emër të qeverisë së tij se trupat ruse në Kosovë nuk kanë aprovimin zyrtar. Një grup ekspertësh ushtarake ruse ndodhen në Shkup dhe janë takuar me përfaqësues të Pentagonit.

Sipas Ministrisë Ruse të Mbrojtjes përfaqësuesi i Rusisë në NATO, Gjenerali Zavarzin ndodhet në Prishtinë bashkë me forcat ruse. Veprimi i trupave ruse ka shkaktuar mosmarrëveshje brenda administratës ruse. Presidenti Rus Jelçin ka thënë se Rusia do t’i përmbahet rezolutës së Këshillit të Sigurimit, por ai nuk ka deklaruar se trupave ruse u është urdhëruar tërheqja.

Ministri Jashtëm Rus Ivanov ka kontaktuar me Ollbrajt me qëllimin për vënien në jetë të rezolutës së OKB-së. Thaçi ka deklaruar se UÇK-ja nuk mund të garantojë sigurinë e trupave ruse në krahinën e Kosovës. Thaçi gjithashtu ka theksuar se trupat ruse duhet të largohen sa më shpejt pasi në Kosovë ata kanë hyrë pa asnjë konfirmim nga Komuniteti Ndërkombëtar ose nga Qeveria e Përkohëshme e Kosovës./tvklan.al