Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Tryeza e partive opozitare përcaktoi qartë, se vota do të jetë kundër, por nuk dihet nëse do të bojkotohet seanca prej tyre apo jo. Para se fillojë seanca parlamentare, deputetët e opozitës do të vendosin në varësi të kuorumit të nevojshëm prej 71 votash.
Bamir Topi:- “Atje u deklarua ajo që pritej, votimi kundër kësaj qeverie, por më shumë u trajtua problemi i qëndrimit taktik në parlament, nëse do të jemi të pranishëm ose jo, të paktën nga tavolina doli që ne do të jemi në ambientet e parlamentit dhe mesa duket do të jetë një vendim i çasteve të fundit, nëse do të jemi për të thënë secili në emër të grupit fjalën, arsyet pse duhet të votojmë kundër, por nëse ato nuk do të realizojnë kuorumin, gjë që pak është e mundur që të mos e realizojmë, sepse ju e dini që ata janë të aftë për pazaret e çasteve të fundit, atëherë ne do të themi djalin tonë, si një seancë e zakonshme plenare, për të deklaruar qëndrimin tonë opozitar”.
Në tryezën e partive që përfaqësojnë vetëm spektrin e djathtë politik, u fol se nuk do të ketë më rrëshqitje të votave, siç ndodhi në votimin e mëparshëm të ministrave.
Fatmir Mediu:- “Kemi marrë edhe qëndrime, të cilat kanë rezultuar të vlefshme dhe kemi përcaktuar një logjikë dhe një platformë bashkëpunimi, por kanë rezultuar dhe të pavlefshme ose konjukturale, ku janë përdorur për interesa të vogla dhe si duket, pastaj kur e kemi pësuar të gjithë së bashku, kemi vënë re që ato interesa konjukturale nuk i kanë shërbyer kurrkujt, mund të kenë shërbyer për një moment të caktuar për lavdi personale të ndonjërit, por s’kanë shërbyer të paktën për atë që presin qytetarët shqiptarë nga opozita”./tvklan.al