Për një muaj tuneli i Llogarasë do të hapet për qarkullimin e mjeteve drejt jugut të Shqipërisë. Lajmi u bë i ditur nga zv/kryeministrja, njëherësh edhe Ministre e Infrastrukturës e Energjisë, Belinda Balluku, e cila u kërkoi nga firma kontraktuese të mbyllë punimet brenda afateve të përcaktuara.
“Do e përfundoni brenda afateve sepse nuk keni të papritura. Tuneli i Llogarasë do të hapet për akses të automjeteve, sigurisht me disa kushte sigurie pasi do të na duhet që ne të vazhdojmë punën në tetor. Kur të mbaroj fluksi do të mbyllet sërish, ashtu siç kemi bërë dhe me Orikum-Dukat, ashtu siç kemi bërë edhe me by pass-in e Vlorës, pra që ne i disponojmë për kalim gjatë verës, por i mbyllim në tetor për t’ju dhënë mundësi që të përfundojnë të gjitha detajet, sidomos edhe ato të parametrave brenda tunelit të emergjencës”.
Balluku tha se këtë vit tuneli i Llogarasë do të jetë falas, pa pagesë për qytetarët, deri në përfundimin e plotë të kësaj vepre infrastrukturore.
“Deri në tetor do të funksionojnë normalisht, do të kemi disa kufizime përsa i përket shpejtësisë apo gjithçka tjetër. Policia do të jetë në monitorim të vazhdueshëm, në hyrje dhe dalje të tunelit. Këtë vit nuk do të aplikohet pagesa e tunelit pasi duhet të përfundojë i gjithë kantieri dhe parashikohet që të vazhdojë në vitet në vazhdim. Aplikimi i tarifës do të jetë pas vitit 2025 kur të dorëzohet ky si tunel i plotë bashkë me tunelin e emergjencës. Këtë vit do të jetë i aksesueshëm nën monitorimin e policisë rrugore, por me parametrat e plotë të sigurisë”.
Tuneli i Llogarasë me një gjatësi 5.9 km do të shkurtojë kohën e udhëtimit nga Vlora për në Palasë, për t’u përshkuar vetëm për 20 minuta, duke krijuar një akses më të lehtë dhe të shpejtë për turistët në këtë zonë e cila mbetet mjaft e frekuentuar gjatë sezonit veror.
Investimi për këtë vepër infrastrukturore ka kapur vlerën e 140 mln euro.
Tv Klan