Me hapjen e Tunelit të Llogarasë, Policia e Shtetit dhe Shërbimi Zjarrfikës janë angazhuar për të garantuar sigurinë në të dhe qarkullimit normal të mjeteve. Tuneli monitorohet 24/7 edhe nga njësia e lëvizshme e Trupa e Ndërhyrjes Teknike (Policia, Zjarrfikësja, Urgjenca).

Gjatë një inspektimi sot, ministri i Brendshëm Taulant Balla kishte një apel për drejtuesit e mjeteve që të kufizojnë detyrimisht shpejtësinë dhe të zbatojnë urdhërat e udhëzimet përkatëse.

“Duhet të qëndrojë e stacionuar këtu një makinë zjarrfikëse, pasi Tuneli është i gjatë, krijohen incidente rrugore. Po ashtu duhet të kemi një mjet të Trupës së Ndërhyrjes Teknike (TNT), e cila mbulon zonën e bregut”, u komunikoi Balla, autoriteteve vendore.

Së bashku me Autoritetin Rrugor Shqiptar, Policia Rrugore do të vendosë gjithashtu radarë të shpejtësisë dhe sinjalistikë vertikale për të siguruar që çdo shkelës i rregullave të qarkullimit të ndëshkohet, e parandaluar kështu ngjarje me pasoja në këtë vepër të rëndësishme infrastrukturore.

/tvklan.al