Rama shpërndan planin për transformimin e Tiranës

Gjatë turit të tij derë më derë kryebashkiaku Edi Rama është ndalur në njësitë bashkiake 11, 7 dhe 5 për t’ju dhënë personalisht qytetarëve të Tiranës, planin e tij për ndryshimin dhe transformimin e kryeqytetit. Transformim që sipas Ramës pas 28 qershorit do të jetë shumëfish më i madh se sa është bërë në këto 8 vite.

Edi Rama: “Ajo që na duhet për t’i dhënë Tiranës një ritëm të ri dhe një shpejtësi të re dhe për të hapur një kapitull të dytë të transformimit të saj, i cili për nga dimensioni do të jetë edhe më i madh se sa kapitulli i parë, ku kaluam nga fshati i madh i kioskave, i baltës dhe i kaosit në qytet me fizionomi evropiane. Tirana sot duhet të kthehet në një metropol. Do të ketë një status tjetër ligjor që përfshin kryeqytetin, përfshin edhe komunat që e përbëjnë qarkun, përfshin edhe bashkitë e tjera dhe ky metropol duhet zhvilluar me politika të mëdha integruese për të gjithë territorin. Për këtë unë vendosa që të kandidoj për të qenë kryeministër i Shqipërisë dhe jam i bindur se të gjitha këto arsye dhe shumë arsye të tjera janë të mjaftueshme që ne së bashku t’i japim fuqi një ndryshimi të ri, një ndryshimi të ri, i cili unë po ju them do ta transformojë Tiranën në 4 vitet e ardhshme më shumë se ç’është transformuar në këto 8 vjet.”

Gjatë këtyre takimeve, Edi Rama është angazhuar për transformim rrënjësor të Parkut të Liqenit, të sistemimit dhe gjelbërimit të gjitha blloqeve të banimit si dhe ngritjen e një shërbimi të integruar të transportit në të gjithë njësitë duke përfshirë edhe rrethinat.

Edi Rama: “Do të votojnë për të pasur shuam shpejt, në radhë të parë një Park të ri, një park të transformuar rrënjësisht, një park model të ekuilibrit mes një qyteti dhe natyrës, parkun e Liqenit që ne do ta bëjmë modelin që pastaj do ta shpërndajmë edhe në zona të tjera.”

 Ndërsa tek fusha e vjetër e Aviacionet në njësinë bashkiake nr.7 Rama ka premtuar se do të përfundojë shumë shpejt parkun e madh si dhe ndriçimin publik në të gjitha rrugët e njësisë duke takuar banorët në çdo rrugë të këtyre njësive, kryebashkiaku i Tiranës ka shpërndarë planin përkatës për çdo njësi duke thënë se dhënia e një statusi të ri ligjor për qarkun  Tiranës është një angazhimet kryesore të socialistëve që do të realizojnë pas 28 qershorit.

Rama nga Kamza akuzon Berishën për legalizimet

Nga Kamza ku është ndalur gjatë turit të tij elektoral, kryesocialisti Rama ka akuzuar rivalin e tij politik, kryeministrin Sali Berisha se ka dështuar në premtimin e tij për legalizimin e banesa informale, proces për të cilin Rama është angazhuar se do ta realizojë qeveria që ai do të formojë pas 28 qershorit.

Edi Rama: “Katër vjet më parë Sali Berisha erdhi këtu dhe ju tha se brenda vitit të parë të qeverisjes së tij ai do t’i legalizonte të gjithë shtëpitë tuaja. Ku i keni legalizimet? Sali Berisha këtu në Kamëz dhe në Bathore nuk duhet të vijë për t’ju treguar se sa të bukur do e bëjë Kamzën e Bathoren nesër, po për t’ju treguar sepse nuk i bëri legalizimet tuaja në 4 vjet. Ndërkohë që premtoi qysh vitin e parë. Ato shtëpi duhet të ishin legalizuar dhe ato shtëpi do të legalizohen që të gjitha…/tvklan.al