Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka vijuar me takimet e saj në komunat e Shkodrës. Bizneset por mbi të gjitha njerëzit e thjeshtë kanë qenë pjesë e turit të kryeparlamentares.
Jozefina topalli ka përuruar shkollën “Mark Çuni” por edhe rrugët në Rranzë dhe Barbullush, me një gjatësi 11.5 kilometra.
Topalli premtoi se në mandatin e dytë do të pesëfishohen subvencionimet në projektet e zhvillimit të bujqësisë, dhe pensionet e fshatit do të barazohen me pensionet e qytetit. Kryetarja e Kuvendit deklaroi se do të shtohen akoma më shumë investimet në bujqësi e blegtori, shkolla, qendra shëndetësore, sisteme moderne të vaditjes etj.
Jozefina Topalli u ndal edhe në një kompleks fasonerie ku punojnë 1 mijë persona. Aty Topalli përuroi edhe një fabrikë të re ndërsa premtoi lehtësira për bizneset e reja që do të hapen në 4 vitet e ardhshme. Nënkryetarja e Partisë Demokratike ka preferuar të takojë edhe banorë të qytetit të Shkodrës, të cilët i premtuan se do të votojnë numrin 10 më 28 qershor./tvklan.al