Sezoni turistik në Durrës po zgjerohet përtej muajve të verës, duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin e turizmit gjithvjetor në këtë zonë. Prenotimet në hotelet e Durrësit nga turistë të huaj vijojnë ende pavarësisht muajit në të cilin ndodhemi.

“Turizmi nuk ka përfunduar akoma, hotelet në zonën e Durrësit janë diku 50-60%.”

“Ka vite që nuk është vetëm 3 muaj sezoni. Ka rezervime dhe akoma turistë në hotel.”

Vendimet e qeverisë, si rregullator për sektorin e turizmit janë pritur mirë nga operatorët turistikë, të cilët e shohin këtë si një mundësi për të tërhequr më shumë vizitorë dhe për të pasuruar ofertën turistike.

“Do i vijë në ndihmë edhe sistemimit të zonës së plazheve, do ofrojë ndonjë sërbim më profesional.”

“Për ne është pozitive sepse bizneset do të ofrojnë më shumë sistemim dhe rregull për pjesën e plazhit privat që ofrojnë.”

Turoperatorët thonë që përgatitjet për sezonin e ardhshëm duhet të fillojnë menjëherë. Ata besojnë se planifikimi i hershëm dhe koordinimi i mirë do të ndihmojnë në përmirësimin e infrastrukturës turistike.

“Durrësi po përfundon shëtitoren e plazhit që do i japë një vlerë të shtuar pjesës së plazhit.”

“Jemi në limitetet e fundit për të pasur një sezon të suksesshëm sërish.”

Qëllimi mbetet krijimi i një sezoni turistik të qëndrueshëm, që të mos kufizohet vetëm në verë, por të ofrojë aktivitete dhe atraksione për të gjitha stinët, duke e bërë Durrësin një destinacion tërheqës gjatë gjithë vitit.

Tv Klan