Sezoni turistik po shkon drejt fundit dhe mund te themi se ai ka qenë i suksesshëm , krahasuar edhe me shifrat e një viti më parë.

Sipas Ministrit të Turizmit, Ardian Turku, edhe pse në të gjithë botën kriza ka shkaktuar një ulje të turizmit në Shqipëri ka ndodhur tërësisht e kundërta.

Duke ju referuar shifrave deri në muajin Korrik kemi një rritje të turistëve të huaj me rreth 36% në krahasim me vitin e shkuar.

Ardian Turku: “Regjistrohen të futur në territorin shqiptar me përcaktimin sipas standardeve evropiane vizitorë rreth 1 milion e 600 mijë persona, nga të cilët rreth 991 306 janë shtetas të huaj, ndërsa shqiptar të cilët janë rezident në shtete të ndryshme të Evropës, pra emigrant siç i themi ne që vijnë për të kaluar pushimet në Shqipëri janë plot 589 189 persona.”

Një rol tepër i rëndësishëm në shtimin e turistëve ka qenë dhe përmirësimi i infrastrukturës rrugore, ku një meritë e jashtëzakonshme zë dhe ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës dhe ndërtimi i rrugës së bregdetit.

Ardian Turku: “Të mos harrojmë që vetëm në muajin korrik nga rruga Durrës-Kukës kanë ardhur nga Kosova plot 380 mijë turistë kosovarë. Shumë persona përpiqen që ta quajnë, madje dhe shtypi turizëm patriotik. Jam kategorikisht kundër tashmë, nuk është turizëm patriotik të vijnë 380 mijë persona, nuk është turizëm patriotik të vish të pushosh në Sarandë nga Kosova. Është një lloj turizmi atraktiv, tërheqës.”

Por sipas ministrit turku edhe pse turizmi bregdetar mbetet më i preferuari edhe ai malor ka patur një rritje duke qenë se është një ndër prioritet e qeverisë në mandatin e saj të dytë./tvklan.al