Konferenca e kryetarëve ka zyrtarizuar mbledhjen e parlamentit në një seancë të jashtëzakonshme për situatën e shkaktuar nga përmbytjet në Shkodër, pas kërkesës së bërë publike nga disa deputetë të Partisë Socialiste. Vetë kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli njoftoi se kjo seancë do të mblidhet të hënë pasdite.

Jozefina Topalli: “Ishte parashikuar që séance të fillojë ditën e enjte. Ne e afruam, pikërisht në përgjigje të deputetëve të opozitës, që thanë, se do vijmë në parlament nëse do ketë një séancë të jashtëzakonshme për situatën emergjencë. Unë e kuptoj në mënyrë të veçantë kërkesën e deputetëve të opozitës, të Partisë Socialiste, të qarkut Shkodër në mënyrë të veçantë. Kërkojnë hapësirën institucionale për të folur , për të gjykuar dhe për të mbështetur”.

Duke ju përgjigjur deklaratave të bëra nga Kryesocialisti Rama një ditë më parë, i cili u shfaq me një qëndrim të ndryshëm nga a i deputetëve të tij Ilir Beqja dhe Eglantina Gjermeni, për të mos marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të ditës së hënë, Topalli u shpreh:

Jozefina Topalli: “Komunikimi im është me deputetët. Parlamenti është i deputetëve dhe ne ju përgjigjemi kërkesës së deputetëve. Është kushtetuese, është ligjore. Çështja e mandateve është çështje e deputetëve, nuk është çështje e subjekteve politike. Betimi është individual, vota është individuale. Mandati i deputetit është personal dhe detyrimi i tyre duke qenë kushtetues, është që ta ushtrojnë këtë mandat”.

Pa hapit të mazhorancës për të pranuar kërkesën e deputetëve socialist për një seancë të jashtëzakonshme, që do  t’i ulte ata në sallën e parlamentit, duke shënuar dhe fundin e bojkotit. Vendimi u takon deputetëve të pa betuar të selisë rozë, disa prej tyre të njohur për qëndrimin kundër politikës së kryetarit Rama, e kanë bërë të qartë se nuk do ta djegin mandatin, në respekt të kushtetutës dhe zgjedhësve të tyre./tvklan.al