Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Për herë të parë Televizioni Kombëtar Klan, do të realizojë një transmetim ekskluziv për televizionin italian RAI. Kjo do të ndodh nesër në transmetimin e Maratonës së Popujve. Ky aktivitet është realizuar nga Ministria e Shqiptare e Kulturës, Qendra Sportive Italiane, ku natyrisht TV Klan do ta përçojë këtë aktivitet në çdo shtëpi shqiptare.

Studiot lëvizëse të televizionit tonë janë stacionuar qysh në orët e mesditës, ku kanë filluar përgatitjet e këtij transmetimi unikal për nga lloji i vetë. Do të jenë gjithsej rreth 16 telekamera, të cilat së bashku me dy studiot lëvizëse, do të bëjnë të mundur këtë transmetim ekskluziv, për televizionin italian RAI, si dhe transmetimin direkt. Për më tej regjisori Bledar Laço shpjegon.

Regjisori Bledar Laço:- “Ky është një transmetim i parë që televizioni shqiptar realizon për televizione të mëdha europiane, siç është RAI, për këtë janë marrë të gjitha masat, na është kërkuar që të vëmë në dispozicion, të gjitha mjetet tona teknike, do të jetë një transmetim i përbashkët, janë instaluar 16 telekamera, që do të mbulojnë gjithë xhiron e maratonës që do të zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, më pas në bulevardin “Bajram Curri”, “Zhan D’Ark”, qendrën e Tiranës, sheshi Skënderbej. Do të përdoren për herë të parë kamera nga helikopteri, do të përdorin kamera lëvizëse në makina. Shpresojmë që të jetë një eksperiencë e mirë dhe që t’i shërbejë jo vetëm TV Klan, por edhe RAI që do të marri sinjalin, por edhe krijimit të një lloj historiku në transmetimet televizive të kësaj natyre në Shqipëri”.

Ndërsa regjisorja dhe producentja e RAI-t Ana Kristina Giustiniani shprehet për televizionin tonë.

“Tashmë jemi gati për manifestimin e së dielës. Unë erdha javën e kaluar për të vërejtur pikat e montimit për të gjitha pajisjet e nevojshme në sheshin “Nënë Tereza”. Gjeta bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e plotë nga drejtuesit e TV Klan. Ky është bashkëpunimi ynë i parë dhe më dukej sikur e njihja prej kohësh. Shpresoj që kjo klimë të mbizotërojë edhe për projektet tona në të ardhmen”.

Kjo maratonë do të jetë 21 km e gjatë dhe në të do marrin pjesë 2500 vrapues. Aktiviteti zhvillohet me rastin e Lumturimit të Nënë Terezës dhe për krijimin e një imazhi të ri për shqiptarët./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj