Viktimat, kalimtarë që u goditën në vijat e bardha
Aksidenti i parë i rëndë për 2020-ën ndodhi fare pranë qendrës së Tiranës. Dy kalimtarë humbën jetën teksa përpiqeshin të kalonin në vijat e bardha në rrugën ‘Xhanfize Keko’ në zonën e Porcelanit në kryeqytet.
Ngjarja ndodhi rreth orës 15:15 të së enjtes. Shkak u bë përplasja e dy automjeteve dhe më pas njëri prej tyre ka goditur Erion Ballën 36 vjeç nga Rrësheni i Mirditës dhe Hidajete Salliun 72 vjeçe banuese në Tiranë.
Drejtuesit e dy automjeteve, Etjon Lazri dhe Edmond Murati, kanë marrë lëndime të lehta. Lazri është shoqëruar fillimisht në Spitalin e Traumës për të marrë ndihmë mjekësore dhe më pas të dy janë dërguar në komisariatin e policisë për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Nga burime policore në vendin e ngjarjes mësohet se njëri prej automjeteve ka bërë një parakalim të gabuar dhe për pasojë është përpalsur me automjetin që kishte tentuar të dilte nga rruga në të njëjtin krah. Përplasja ka qenë e fortë dhe automjetet janë zhvendosur disa metra duke goditur kalimtarët që kanë ndërruar jetë në vend.
Tv Klan