Gjykata: Prokuroria të kryejë hetime të thelluara
Sanitarja e spitalit “Shefqet Ndroqi”, Tire Alldervishi, që u denoncua në emisionin “Stop” në Tv Klan se i mori 800 mijë lekë vajzës së një pacienteje të prekur me COVID do të qëndrojë në burg. Ky ishte vendimi i gjykatës së Tiranës për 58-vjeçaren që shtirej si infermiere dhe merrte ryshfet.
Alldervishi nuk pranoi të flasë përballë gjykatës, ndërsa avokatja e saj u shpreh se ajo është në gjendje të rëndë psikologjike. Në fund gjyqtarja Rexhina Merlika vlerësoi të ligjshëm arrestimin duke pranuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë “Arrest me burg”. Gjyqtarja tha se publiku është i tronditur dhe se është nevoja për një hetim të thelluar për bashkëpunëtorë të saj, madje duke I kërkuar edhe prokurorisë të ndryshojë kualifikimin e veprës penale.
“Në referim të vlerave gjykata çmon dhe i sugjeron akuzës se kjo vepër duhet të ndryshojë në akuzën. Gjykata i sugjeron akuzës që ta kualifikojë në kuadër të paragrafit të fundit, për shkak të pasojave të rënda të sjella.
Është diçka absolutisht e rëndë dhe gjykata sigurisht që nuk e vë në dyshim fare masën e sigurimit. Është masa më evidente që të parandalojë në çdo lloj mënyrë çdo lloj veprimi që në këtë lloj situate të krijohet kjo formë abuzimi.”
Sipas prokurorisë, janë duke u kryer hetime edhe për veprimtarinë e punonjësve të tjerë të Spitalit, pasi ka dyshime që mund të kemi një skemë të mirëfilltë zhvatje. Duke u prezantuar si infermiere sanitarja ka marrë në mënyrë të vazhdueshme shuma parash nga 2 mijë deri në 7 mijë leke nga 30-vjeçarja që humbi nënën nga COVID-19.
Sipas dosjes hetimore, pagesa parë është kryer vetëm për të futur brenda spitalit një celular. Në ditët në vijim pritet të sekuestrohen kartelat shëndetësore dhe regjistrin e hyrje-daljeve. Prokuroria ka sekuestruar edhe disa aparate celularë të stafit mjekësor të cilët deri më tani implikohen vetëm nga thëniet e sanitares Tire Alldervishi se u ka dhënë një sasi lekësh.
Tv Klan