Policia e Pogradecit ka zbardhur një ngjarje të ndodhur ditën e djeshme ku fillimisht u dyshua për një vdekje aksidentale, por nga verifikimet rezultoi se kishim të bënim me një vrasje.
Bëhet fjalë për ngjarjen ku humbi jetën 42-vjeçari Egli Proga.
Policia bën me dije se viktima është goditur nga 29-vjeçari Denis Meçe, i cili e ka dhunuar dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Megjithatë ai u vu më vonë në pranga, bashkë me tre persona të tjerë që nuk kanë kallëzuar krimin.
“Shtetasi Denis Meçe, 29 vjeç, pas konflikt është larguar nga vendi I ngjarjes por falë reagimit në kohë të Policisë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij për veprën penale “Vrasja me dashje”. Në vijim të veprimeve për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje, shërbimet e Seksioni për Krimet Kundër Personit në DVP Korçë në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasit: Voltan Shulku, 40 vjeç, Arian Manellari, 55 vjeç, dhe Leonidha Guçe, 47 vjeç, për veprat penale “Moskallzim krimi”, dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Këta shtetas kanë qenë të pranishëm kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë kallzuar krimin duke penguar zbardhjen e së vërtetës”, njoftoi policia.
Sipas asaj që ka mësuar gazetarja Daniela Zisi, dy personat janë konfliktuar në afërsi të një lokali. Viktima pasi është goditur nga Meçe, ka hyrë brenda lokalit dhe ka qëndruar vetëm 2 minuta. Më pas ka dalë duke u rrëzuar në tokë për shkak të dhunës së shkaktuar.
Ngjarja që deri ditën e djeshme u dyshua si aksidentale, rezultoi në një vrasje.
Policia ka mbledhur të gjitha kamerat e sigurisë në zonë për të parë edhe momentet e konfliktit.
Viktima ndërroi jetë pasi u transportua në spitalin e Pogradecit, për shkak të hemorragjisë që pësoi nga dhuna e ushtruar./tvklan.al